Paralajmërimi i Prokurorit të Përgjithshëm, Çela: Rrezikojmë që stoku i dosjeve të bëhet i papërballueshëm

Nga A2 CNN
23 Korrik 2021, 11:39 | Aktualitet
Paralajmërimi i Prokurorit të Përgjithshëm, Çela:

Prokurori i Përgjithshëm, Olsian Çela, paralajmëroi se mbingarkesa e punës së prokurorëve rrezikon të shtojë stokun në atë nivel sa të bëhet i papërballueshëm.

Në konferencën e organizuar nga Ministria e Drejtësisë me rastin e 5-vjetorit të miratimit të Reformës në Drejtësi, Çela tha se situata është mjaft e rënduar për shkak të vakancave që po krijohen.

“Nga ajo që parashikojmë për në vjeshtë, kjo situatë do të rëndohet edhe më tej. Çka e bën të domosdoshme ndërmarrjen e hapave konkretë në drejtim të ribërjes së hartës gjyqësore. Rrezikojmë që stoku i dosjeve të bëhet gati i papërballueshëm në kushtet e vonesës të riorganizimit të strukturave të prokurorisë”, tha Çela.

Ai kërkoi ndryshime në ligjin e magjistraturës dhe gjithashtu që viti i tretë në shkollën e Magjistraturës të jetë vit pune, sepse sipas tij do të sillte rifreskim dhe energji të reja për sistemin.

Çela shtoi se ka gjithashtu boshllëqe për mënyrën se si është konceptuar funksionimi i bashkëpunimit mes Prokurorisë dhe KLP. “Garantimi i pavarësisë së prokurorëve duhet të shoqërohet me rritje të llogaridhënies së tyre. Mungon matja e performancës së tyre. Sistemi aktual ka nevojë për përmirësime”, tha ai. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos