
Edhe pse e nisi ndeshjen si favorit absolut, Partizani ka gabuar në ndeshjen e parë çerekfinale të Kupës së Shqipërisë, duke u mposhtur në “Elbasan Arena” nga Luftëtari me rezultatin 1-2.
“Të kuqtë” kaluan të parët në avantazh në fundin e pjesës së parë me golin e Bruno Telushit, i cili realizoi me një goditje nga jashtë zonës.
Por gjirokastritët nuk u dorëzuan dhe gjetën forca për të shënuar golin e barazimit me nisjen e pjesës së dytë nga Realdo Fili.
Në minutat në vijim, Partizani u hodh në sulm dhe pati mundësi të shkëlqyera për shënim, fillimisht me Hebajn dhe më pas me Çinarin, por dy futbollistët shkodranë nuk mundën ta dërgonin topin në rrjetë duke shpërdoruar rastet.
Kur të gjithë menduan se ndeshja u mbyll në barazim, Hoxha shënon golin e fitores për Luftëtarin në minutat e shtesës.
Tashmë Partizanit i duhet të shënojë të paktën dy gola në sfidën e kthimit në Gjirokastër për të pretenduar kalimin në gjysmëfinale të Kupës. (A2 Televizion)