
Pas tërmetit të 26 nëntorit, bizneset në Durrës ndërprenë aktivitetin e tyre dhe një pjesë ende sot punojnë nën kapacitetet normale. Dëmet në ndërtesa, makineri, inventar dhe frika e punonjësve për t'u kthyer në punë janë problemet kryesore për sipërmarrjen.
Partia Demokratike ka propozuar një paketë masash drejtuar qeverisë për të lehtësuar ringritjen e biznesit dhe për të shmangur atë që e ka quajtur një dimër ekonomik. Për të gjitha bizneset me aktivitet në zonën e prekur, kërkohet përjashtim nga taksa e pronës dhe të gjitha taksat e tarifat vendore gjatë periudhës së rindërtimit. Për sipërmarrësit që po riparojnë vetë dëmet, kërkohet përjashtimi i shumës përkatëse nga tatimi mbi fitimin.
PD propozon gjithashtu shtyrjen dhe pagesën me këste të kontributeve për punonjësit, ndërsa arsyeton se duhen përjashtuar nga TVSH materialet që do të përdoren për rindërtimin. Pika e fundit në paketë parashikon pezullimin dhe fshirjen e pagesave për faturat e ujit dhe dritave. Ndërsa i bëhet edhe një apel bankave për të riskeduluar këstet e kredisë gjatë periudhës së rindërtimit.
Ndaj propozimit të Partisë Demokratike ka reaguar edhe kryeministri Rama që deklaron se një pjesë e masave përkojnë me planin e Komitetit Kombëtar të Rindërtimit dhe të Ministrisë së Financave. Në postimin në Twitter drejtuar liderit të opozitës Lulzim Basha, kryeministri theksoi se refuzimi i tryezës së përbashkët është një gabim i madh. (A2 Televizion)