
Artan Shkreli, zv/ministri i Infrastrukturës, deklaroi për A2 se procesi i vlerësimit ende nuk ka përfunduar dhe për këtë arsye nuk ka një plan për rikonstruksionin deri tani.
“Procesi i vlerësimit nuk ka përfunduar akoma. Faza e emergjencës ka mbaruar, në kuptimin që objektet të cilat duhen prishur janë të gjitha të certifikuara dhe lista e tyre është gati. Ende nuk ka nisur rikonstruksioni, hiq rastet kur vetë firmat e ndërtimit kanë paraqitur kërkesë për leje për rikonstruksione në objekte”, sqaroi Shkreli.
Zv/ministri shtoi: “Besoj që brenda datës 20 dhjetor do të kemi një ide të faturës së përgjithshme që del nga rivlerësimi dhe në atë moment do të përcaktojmë se si, ku dhe kush do të bëjë rikonstruksionin ose përforcimin e strukturave të cilat nuk kanë nevojë të shemben”. (A2 Televizion)