
Partia Demokratike përmes një postimi në rrjetet sociale të ish-deputetes së saj Albana Vokshi ka kritikuar sërish vendimin e qeverisë shqiptare për të mbyllur universitetet.
Sipas saj, “një firmë drejtori ka vendosur të ardhmen e studentëve, në shkelje të çdo ligji”.
Vokshi vijoi duke shpjeguar se Ligji i Arsimit të Lartë, në nenin 59 përcakton se format e studimeve në institucionet e arsimit të lartë janë dy, studime me kohë të plotë ose me kohë të zgjatur, dhe ligji “nuk i njeh studimet në distancë (online)”.
Ish-deputetja kritikoi vendimin e qeverisë për mbylljen e universiteteve, e ardhur vetëm 3 ditë para fillimit zyrtar, duke i cilësuar studentët si “më të diskriminuarit gjatë periudhës së pandemisë. Pjesa më e madhe e tyre nuk patën asnjë mundësi të ndiqnin studimet online, nuk patën asnjë mbështetje për punësim, asnjë paketë ndihme”. (A2 Televizion)