700 rrena për një vit: arrestohet Dragan J. Vuçiçeviq, kallashnikovi medial i ish-autokratit Vuçiq

Nga A2 CNN
25 Nëntor 2026, 12:17 | Blog

Putini, pornografia dhe propaganda: me gazetën e tij skandaloze “Informer”, Dragan J. Vuçiçeviq i ka kaluar të gjithë kufijtë profesionalë dhe etikë. Ai ka qenë shufër mediale në duart e ish-autokratit Aleksandar Vuçiq. Kritikët e kanë quajtur “truproja orale” e Vuçiqit. Tani Vuçiçeviq përfundoi në burg. Arrestimi i tij është shoqëruar me duartrokitje në parlamentin e ri të Serbisë. Kush është Dragan J. Vuçiçeviq? Një portret.

700 rrena për një vit: arrestohet Dragan J. Vuçiçeviq,

Enver Robelli

Shumë njerëz në Serbi e kanë pritur këtë lajm me gëzim. Kur deputeti dhe ish-autokrati Aleksandar Vuçiq mori fjalën në Kuvendin e Serbisë të mërkurën në mëngjes, ai njoftoi me fytyrë të vërenjtur se sapo ishte arrestuar Dragan J. Vuçiçeviq. 140 deputetët e Listës Studentore, e cila fitoi zgjedhjet në fund të tetorit, filluan të duartrokasin spontanisht.

Pastaj lajmi mori dhenë. Vuçiçeviq, pronar i televizionit dhe portalit “Informer”, është arrestuar sot me urdhër të Prokurorisë së Dytë Themelore Publike në Beograd, njoftojnë mediat e Beogradit. Ai është arrestuar nën dyshimin për shkaktim të panikut dhe trazirave në mënyrë të vazhdueshme, si dhe për pengim të drejtësisë. Ish-presidenti Vuçiqi tha se Vuçiçeviq “është arrestuar vetëm për shkak të punës së tij si gazetar”.

Por a është Vuçiçeviq gazetar? Faktet e dëshmojnë të kundërtën. Kredoja e tij publicistike mund të përmblidhet në tri fjali: Putini, pornografia dhe propaganda.

Vuçiçeviq është një figura më kontraverse në skenën mediale serbe. Adhuruesit e tij e lavdërojnë si gazetar që lufton për të vërtetën dhe e qujanë ikonë të gazetarisë. Me vite të tëra ai kishte përkrahës të fuqishëm. “E konsideroj njeri të ndershëm dhe të respektueshëm. Ai është mik imi personal prej 25 vjetësh”, pati thënë dikur presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, i cili s’është më president.

Për kundërshtarët e tij të shumtë, ndërkaq, Vuçiçeviq, është simbol i gjendjes së mjerueshme të mediave në Serbi, të cilat i kontrollonte regjimi i Vuçiqit. Në një dokumentar të televizionit N1, të realizuar mbi bazën e një hulumtimi të hollësishëm, Vuçiçeviq krahasohet me një komandant kampi të burgosurish dhe përshkruhet si akuzues, gjykatës, kalorës i propagandës së zezë dhe xhelat. Ai e ka “modifikuar gjenetikisht” gazetarinë, pra e ka kthyer atë në të kundërtën e vet, thotë një kritik.

Në fund të marsit të vitit të kaluar, më shumë se 10 mijë studentë dhe protestues të tjerë demonstruan para redaksisë së “Informer”-it në Beograd. Për ta, kjo gazetë është një “Dezinformer”, që çdo ditë shpifte për kundërshtarët politikë të presidentit (të atëhershëm Vuçiq), i poshtëron, i dehumanizon dhe i vë në shënjestër. Fjala që përdorej më së shpeshti kundër opozitës së deridjeshme serber në këtë gazetë me tirazh të madh është «ollosh», që do të thotë llum, fundërrinë.

Protesta e studentëve para ndërtesës së redaksisë së “Informer”-it zgjati plot gjashtë orë. Ata e dezinfektuan simbolikisht hapësirën, ngritën aty një “Mur të turpit të gazetarisë” dhe ekspozuan disa nga titujt e gazetës.

Redaksia kishte pretenduar, pa ofruar asnjë dëshmi, se në Universitetin e Beogradit, të pushtuar nga studentët, po përhapej zgjebja për shkak të kushteve johigjienike. Sipas “Informer”-it, pas protestave qëndrojnë kryesisht “studente të reja, të zemëruara dhe arrogante”, të cilat bëjnë udhëtime luksoze.

Para protestës masive të opozitës, më 15 mars 2025, televizioni “Informer” kishte njoftuar se një bandë terroriste po planifikonte gjakderdhje në Beograd. Kryeredaktori Vuçiçeviq ishte jashtëzakonisht i gëzuar kur policia arrestoi tre studentë. “O Zot, sa bukur tingëllojnë këto këngë serbe me rastin e arrestimit të këtyre terroristëve”, tha ai.

Sipas të dhënave të Shoqatës së Gazetarëve të Serbisë, vetëm tri për qind e mediave raportonin në mënyrë kritike për qeverinë e partisë së Vuçiqit. Megjithatë, Vuçiqi me ton teatral ankohej se mediat e injoronin - madje disa prej tyre, sipas tij, planifikonin një atentat kundër tij. Një analizë e organizatës për monitorimin e mediave CRTA paraqiste një pamje krejt tjetër: më 2024 Vuçiqi u shfaq plot 330 herë në televizione të ndryshme serbe.

Dragan J. Vuçiçeviq ka prirjen ta ndajë botën në skema bardh e zi. Aleksandar Vuçiq, Vlladimir Putin dhe Donald Trump janë heronjtë e tij, të cilët luftojnë kundër BE-së, që sipas tij është gjoja në favor të homoseksualëve. Pekini dhe Moska janë, pra, miqtë e vërtetë dhe financuesit më të mëdhenj të popullit trim serb. Por edhe këtu e vërteta është ndryshe: vetëm që nga viti 2014, Bashkimi Evropian e ka mbështetur Serbinë me rreth katër miliardë euro.

Vuçiçeviq e ka përhapur me kënaqësi pretendimin se shërbimi sekret kroat qëndronte pas protestave në Serbi. Për “Informer”-in, ndërkaq, është e qartë se edhe shërbimet sekrete perëndimore kanë ndërhyrë për t'i bërë dëm Serbisë dhe për ta rrëzuar Vuçiqin. Gazeta nuk paraqet kurrë prova për këto pretendime.

Një analizë e Shoqatës së Pavarur të Gazetarëve të Serbisë arrin në përfundimin se tabloidi “Informer” publikon rreth 700 lajme të rreme në vit vetëm në faqet e para.

E paharrueshme mbetet njëra prej tyre, e botuar pak para sulmit rus ndaj Ukrainës, më 24 shkurt 2022: WAmerikanët po e zhytin botën në kaos. Ukraina e ka sulmuar Rusinë!”

Po atë vit, gazeta e Vuçiçeviqit botoi një intervistë me një përdhunues serial, i cili i rrëfente në hollësi krimet e tij të neveritshme dhe u jepte grave këshilla se si të silleshin gjatë një përdhunimi, në mënyrë që të ndienin më pak dhimbje.

Indinjata ishte e madhe. Qindra gra protestuan më pas para redaksisë së “Informer”-it. “Edhe për plehun e tabloideve serbe kjo është e tepërt”, komentonte atëherë revista e pavarur “Vreme”.

Në vitin 2015, gazeta “Informer” shkaktoi një skandal ndërkombëtar, pasi publikoi një video pornografike dhe pretendoi në mënyrë të rreme se gruaja e shfaqur në të ishte presidentja e atëhershme e Kroacisë, Kolinda Grabar-Kitaroviq.

Dragan J. Vuçiçeviq e nisi karrierën në fund të viteve 1990 në të përditshmen “Blic”, e cila sot i përket grupit mediatik zviceran Ringier. Në vitet që pasuan, ai shkroi për redaksi të ndryshme, të cilat bashkëpunonin ngushtë me qarqet nacionaliste.

Në vitin 2002, i ashtuquajturi gazetar Vuçiçeviq zhvilloi një intervistë me një astrolog, i cili parashikoi një atentat kundër kryeministrit properëndimor Zoran Gjingjiq. Disa muaj më vonë, Gjingjiq u vra nga nëntoka gjysmëzyrtare. Vuçiçeviq akuzohet se kishte udhëhequr fushatën mediatike kundër Gjingjiqit. Ai i mohon akuzat dhe thotë se ose nuk i kujtohet ajo periudhë, ose se thjesht kishte bërë punën e tij si gazetar.

Kushdo që shfleton arkivat e mediave serbe, do të gjejë plot shembuj. Sipas Vuçiçeviqit, politikanët proevropianë dhe kundërshtarët e Vuçiqit janë maskarenj, të pavlerë, zagarë, fundërrina, gra të përdala, mashtrues, kusarë rrugësh, servilë, mburravecë, horra dhe kafshë pa bisht. Lista e fyerjeve është e gjatë dhe vulgare.

Kyle Scott, ambasador i SHBA-së në Serbi nga viti 2016 deri më 2019, një herë hoqi dorë nga çdo maturi diplomatike dhe e quajti “Informer”-in “llum” dhe “gazetë gënjeshtrash”.

Shumë aktivistë në Beograd janë të bindur se kryeredaktori i vërtetë i gazetës me vite ka jetuar në pallatin presidencial të Serbisë. Dragan J. Vuçiçeviq, thuhet në dokumentarin e televizionit N1, është vetëm “truproja orale e kreut të shtetit”. Atëherë kreu i shtetit quhej Aleksandar Vuçiq. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos