
Tejkalim i planit tek të ardhurat, por hezitim tek investimet publike që prej zgjedhjeve. Kjo është tabloja që paraqesin të dhënat e Ministrisë së Financave për performancën fiskale të 8 muajve të parë të vitit.
324 miliardë lekë janë mbledhur në arkën e shtetit për periudhën Janar-Gusht, apo plot 10 miliardë më shumë se ç’ishte parashikuar në buxhet.
Performanca më e mirë ka ardhur nga doganat, ku rritja e çmimet të karburanteve ka ndikuar në mbledhjen e më shumë parave nga TVSh-ja dhe akciza.
Ndërsa edhe tatimet kanë pasur një ecuri të kënaqshme, ndikuar kryesisht nga rimëkëmbja e tregtisë dhe prodhimit, si dhe bumi në industrinë e ndërtimit. Ndërsa edhe taksat që mbahen tek paga si tatimi mbi të ardhurat personale dhe kontributet kanë pasur një tejkalim të planit. Më dobët vetëm tatimi mbi fitimin, që tregon se bizneset kanë pasur një 2020 edhe më të vështirë nga sa u mendua.
Për 8 muaj, qeveria shpenzoi më shumë se çka mblodhi, apo rreth 355 miliardë lekë. Por është treguar e kursyer tek investimet publike.
Pas një fillimviti të vrullshëm, që pas zgjedhjeve ritmi i shpenzimeve kapitale është ngadalësuar, duke bërë që të shpenzohen vetëm 43.6 miliardë lekë, nga 72.6 miliardë të planifikuara për të njëjtën periudhë. Por si çdo herë, është e pritshme që këto para të shpenzohen në muajt e fundit të vitit. (A2 Televizion)