
Rënia e besimit të biznesit, që u konstatua në raportin e Dhomës Amerikane të Tregtisë është një lajm i keq për ekonominë, për shkak të sinjaleve negative që marrin investitorët vendas dhe të huaj.
Eksperti Adrian Civici analizon se përveç ndikimit të pandemisë, klima e biznesit në vend vuan nga probleme të vjetra dhe të trashëgueshme dhe për këtë arsye, duhen ndërmarrë reforma strukturore që investitorët ta kenë të lehtë të zgjedhin Shqipërinë.
Një ndër problemet kryesore që hasin bizneset vendase dhe të huaja janë taksat dh ekjo lidhet jo vetëm me nivelin e tyre në raport me rajonin, por edhe me ndryshimin e shpeshtë të legjislacionit fiskal, çka i pengon investitorët të hartojnë plane afatgjata investimi.
Indeksi i biznesit, publikuar nga Dhoma Amerikane e Tregtisë evidentoi rënie të besimit të kompanive në ekonominë vendase, për shkak të problemeve që lidhen me korrupsionin, burokracitë, konkurrencën e pandershme dhe monopolet, shqetësime këto të evidentuara edhe në raportet e mëparshme të institucioneve financiare ndërkombëtare, si ai i Doing Business i Bankës Botërore. (A2 Televizion)