
Një sherr i nisur në Levan të Fierit është përshkallëzuar më pas në ambientet e urgjencës së spitalit deri në përdorimin e armëve të zjarrit.
Dy persona janë plagosur fillimisht pas një konflikti me sende të forta të ndodhura mes dy familjeve në Levan. Një prej tye është Gentjan Zhapa, 33 vjeç. Të plagosurit me sende të forta janë dërguar në spital për të marrë ndihmën e nevojshme mjekësore. Në ambientet e urgjencës së spitalit është shfaqur një person i cili ka rrëmbyer armën e një efektivi policie duke lënë të plagosur tre persona, mes tyre edhe babain e Gentjan Zhapës, i cili kishte shkuar në spital për të vizituar të birin.
Ngjarja ka terrorizuar pacientët dhe personat e ndodhur në spital në momentin e ngjarjes.
Policia ka shoqëruar dy persona dhe është vënë në ndjekje të dy të tjerëve. Nuk dihen ende rrethanat që kanë sjellë këtë ngjarje e cila ka tronditur qytetin e Fierit.
Sipas policisë, konflikti ka nisur mes dy familjeve ku janë dëmtuar me sende të forta Gentian Zhapa dhe D.Zh, ndërsa K.L. dhe E.M. janë lënduar me mjet prerës.
Pas këtij konflikti të plagosurit janë transportuar për në Spitalin Rajonal të Fierit për të marrë ndihmë mjekësore, por në urgjencën e spitalit një prej shoqërueseve të të dëmtuarve i ka marrë armën e zjarrit nga brezi punonjësit të policisë, i cili po ndihmonte për të futur të plagosurit në Urgjencë dhe ka plagosur me armë zjarri një prej familjarëve të palës tjetër, A.Zhapa, babai i Gentian Zhapës.
Në ndihmë të punonjësve të Policisë kanë shkuar forca të shumta policie duke bërë të mundur bllokimin dhe shoqërimin e dy personave E.B. e D.B. Sipas policisë, E.B. dyshohet të këtë kryer plagosjen me armë zjarri. (A2 Televizion)