Postoi foto para sulmit, terroristi 20-vjeçar me origjinë shqiptare ishte burgosur pasi donte të bashkohej me ISIS

Nga A2 CNN
3 Nëntor 2020, 16:05 | Bota

Atentatori kryesor i sulmit terrorist në Vjenë një natë më parë u konfirmua se ishte Kujtim Fejzullahu, i lindur në kryeqytetin austriak, por me prindër shqiptarë nga Maqedonia e Veriut. 20-vjeçari kishte postuar madje edhe një foto me dy armë në llogarinë e tij në Instagram, para se të kryente sulmin, konfirmoi ministri i Brendshëm austriak, Karl Nehammer.

Pasi nisi të qëllonte mbi njerëzit pranë një sinagoge në orën 20:00, i armatosur me një armë automatike, një pistoletë dhe një hanxhar, Fejzullahu nisi të ecte nëpër rrugët e qytetit me një rrip (të rremë) me lëndë shpërthyese dhe plagosi edhe 22 vetë para se të neutralizohej dhe të qëllohej për vdekje nga policia rreth orës 20:09.

I rritur dhe i lindur në Vjenë, Kujtim Fejzullahu është një prej 90 austriakëve me lidhje radikale që mbaheshin nën vëzhgim nga policia. Sipas ministrit të Brendshëm Karl Nehammer, ai kishte dalë nga burgu në dhjetor të vitit 2019 pas një dënimi 22-mujor pasi u përpoq të shkonte drejt Sirisë për t’iu bashkuar luftës së ISIS.

“Ata janë të gjithë të mirëpajisur, kanë armë automatike dhe janë profesionalisht të përgatitur. Është pa dyshim, sulm terrorist”, tha kancelari austriak, Sebastian Kurz.

Si pjesë e hetimeve për sulmet që përgjakën Vjenën, mbrëmjen e së hënës, janë arrestuar 3 persona. Ndërkaq, shkon në 5 bilanci i viktimave dhe 17 ai i të plagosurve, 6 prej të cilëve në gjendje të rëndë. Hetuesit austriakë pretendojnë se agresorët mund të kenë qenë 4, 1 prej të cilëve është ende në kërkim.

Viktimat gjendeshin në një zonë të populluar me bare e restorante, pranë Sinagogës qendrore të qytetit, por nuk është e qartë nëse ajo ishte shënjestra e sulmit. Terroristët kanë qëlluar me armë zjarri ndaj atyre që ishin ulur në bare e restorante në disa pika historike të qytetit. Video shokuese qarkulluan në mediat sociale, që tregonin një prej terroristëve të dyshuar teksa vraponte qëllonte me armë e bërtiste nëpër rrugë, ndërsa qytetarët vraponin të tmerruar. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos