Malaj për A2: Shkarkimi nga Banka e Shqipërisë, hakmarrje e Ramës

Nga A2 CNN
6 Dhjetor 2019, 17:09 | Politikë
Malaj për A2: Shkarkimi nga Banka e Shqipërisë, hakmarrje e

Arben Malaj e konsideron të motivuar politikisht vendimin e qeverisë për ta pezulluar nga Këshilli Mbikqyrës i Bankës së Shqipërisë, shoqëruar me propozimin për Kuvendin që ta shkarkojë atë nga kjo detyrë.

Ish-ministri i Financave i qeverive socialiste, e lidh konfliktin me emrin e përveçëm të Edi Ramës: “Ky është një ballafaqim publik midis meje dhe Ramës. Unë jam për shtet të fortë, me pushtetet të ndara dhe të balancuara. Jam kundër pushteteve neodiktatoriale që janë shfaqur në Evropë, që gjithë pushteti u takon sovjetëve”.

Për të treguar çfarë e ndan me kryeministrin, shfrytëzon një metaforë sizmike: “Nëse në rastin e tërmetit, konkluzioni është se patëm viktima se kishte probleme strukturore me kolonat e ndërtesave, në debatin tim të hershëm me kryeministrin kemi pasur ballafaqime publike lidhur kolonat e qeverisjes”.

Në një intervistë për A2, Arben Malaj e quan joligjor vendimin e qeverisë dhe e konsideron atë hakmarrës: “Është një veprim joligjor sepse nuk ka bërë asnjë kërkesë Këshilli Mbikqyrës i Bankës së Shqipërisë dhe nuk ka asnjë impakt konkret në ekonomi që qëndrimet e mia publike të kenë shkaktuar tronditje te kursi i këmbimit apo inflacioni. Është qëndrim hakmarrës, i marrë në mënyrë imponuese”.

Një nga konfliktet e tij të fundit ka qenë ai me Erion Veliajn, kritikat ndaj të cilit thotë se nuk janë personale: “Ajo që kritikoj Erion Veliajn si kryetar bashkie i Tiranës është se ka quajtur artistët e vendit, të paedukuar, qytetarët i ka quajtur shpellar, të ndjekësh këmbë pas këmbe fermerët e varfër që shesin në rrugë, besoj se janë probleme të modelit qeverisës. Qeveriset me arrogancë dhe babëzi”.

Malaj tregoi se do të mbrojë mandatin e tij kushtetues edhe para Parlamentit, duke shfrytëzuar një të drejtë që ia njeh ligji. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos