
Pas konfrontimeve me policinë mbrëmjen e së dielës, sipërmarrësit e Vlorës kanë përshkallëzuar protestën e tyre duke mbyllur biznesin. Sipas paralajmërimit të tyre, ky bllokim aktiviteti do të zgjasë 24 orë në shenjë proteste për ndalimin e muzikës.
Në mes të sezonit turistik, një pjesë e bizneseve të Lungomares në Vlorë kanë mbyllur aktivitetin e tyre, në shenjë proteste për ndalimin e muzikës.
Ashtu siç kishin paralajmëruar, sipërmarrësit nuk kanë hapur qepenat këtë të hënë, pasi kërkesa e tyre për të mos ndaluar muzikën pas orën 22:00 nuk ka marrë përgjigje.
Protesta po vijonte paqësisht deri të dielën mbrëma, kur të gjitha bizneset po protestonin me vendosjen e himnit kombëtar.
Përshkallëzimi i protestës erdhi menjëherë pasi policia e Vlorës zbarkoi nëpër biznese duke gjobitur disa prej tyre, e duke shoqëruar 3 persona në komisariat.
Sipërmarrësit u grumbulluan menjëherë para komisariat, për të kërkuar lirimin e kolegëve të tyre. Pas disa orësh insistim, të shoqëruarit u liruan.
Prej disa javësh, bizneset e Vlorës kundërshtojnë ndalimin e muzikës pas orës 22:00, pasi sipas tyre ky kufizim i çon drejt falimentit. Por, pavarësisht protestave, kërkesat e tyre nuk janë marrë parasysh. (A2 Televizion)