
Edhe gushti ka nisur me një fluks të lartë në pikën kufitare të Morinit, ndërkohë që në korrik mesatarja ditore e kalimeve në kufi drejt Shqipërisë dhe anasjelltas i kaloi mbi 10 mijë. Por gushti pritet të sjellë një mesatare ditore më të madhe për shkak se lëvizjet e qytetarëve nga Kosova do të jenë më të mëdha.
Por ky fenomen shihet si shqetësim nga autoritetet shëndetësore të Kosovës. Fadil Kryeziu, Drejtor Rajonal i Shëndetit Publik në Prizren thotë se qytetarët e Kosovës që po lëvizin gjatë kësaj periudhe në dy anët e kufirit shihen si bartës kryesor të COVID-19, si për Kosovën dhe Shqipërinë dhe ekipet mjekësore në kufi e kanë të pamundur të kontrollojnë të gjithë udhëtarët, ndaj duhet të shihet një mundësi e re për të kontrolluar situatën e cila po rrit me shpejtësi numrin e të infektuarve.
Korriku sapo u mbyll dhe për Kosovën shënoi numrin me të lartë të të prekurve dhe viktimave nga koronavirusi. Po ashtu edhe në Shqipëri. E pavarësisht kësaj situate qytetarët e Kosovës nuk e kanë frenuar lëvizjen për pushime drejt Shqipërisë.
Edhe fundjava e parë e muajit gusht ka shënuar një fluks të jashtëzakonshëm të hyrjeve në Shqipëri të qytetarëve Kosovarë me destinacion bregdetin shqiptar. Mësohet se këtë fundjavë kanë hyrë rreth 50 mijë pushues kosovarë.
Fluks ka pasur edhe në dy ditët e fundit të korrikut që përkoi edhe me festën e Kurban Bajramit. Bazuar në të dhënat e Policisë së Kosovës, mbi 12 mijë kosovarë kanë hyrë në Shqipëri, në fund të korrikut.
Kujtojmë se në kufirin me Shqipërinë, Ministria e Shëndetësisë e Kosovës rishikoi vendimin dhe përjashtoi qytetarët e dy vendeve nga masat shtrënguese për kontrollet në kufi në kuadër të situatës me Covid-19. (A2 Televizion)