
NEMESIS (MALLKIM)
Ndër gropa burgjesh shkrye për gur e baltë,
mbërthye qelash ndër pranga,
nga gjoksi i shtypun sungullon mâ e naltë
kur del prej s’thelli kanga.
Na shajnë e na poshtnojnë, na plasin gjamën:
anmiq t’adheut! Tradhtarë!
pse duem Shqipnin e plotë, pse urrejmë na namën
e huej, pse jem, shqiptarë.
E ata qi e shitën tue ja lidhun qerit
t’anmikut për trofe,
ata qi flamurin, heu, i’Iskanderit
e zhyen me tjetër fè,
ata qi deri dje mbajshin kapistra,
teneqexhinj, shollarë,
gjysmakë, t’falimentuem, e sot ministra:
ata janë atdhetarë!
Na zhgulin thonjt me danë, ndër plagët krypë
na këllasin, na e shtyjnë
n’gërmaz me grushta, e uj kur bâjmë me lypë
qeshin e na pështyjnë.
Na lagin dimnit qelat, elektrikun
na e venë ndër veshë e n’gojë
e ndër trupa… E qeshin tue fikun
cigaret n’sy për lojë.
Na vene jelekun sa me u thye kërbishtnash,
na lanë me ditë e netë
varun për shpatullash mbi maje gishtash,
pa ngrënë, pa pi, pa fjetë.
Mandej po ngelëm prapseprap na gjallë
me shkelma na mbarojnë,
na hjedhin prej dritores, e veç rrallë
me nji plumb na nderojnë.
Pa gur, pa shenj, ndër gropa plehu hjedhun
si coftina na kallin,
ku grat e foshnjet tona s’vinë me rrjedhun
lotët që zbusin mallin.
Po e fortë asht zemra jonë, ma e fortë, o vllazën,
se tortura qi e sosë.
E zjarrmi i anmikut veç mâ keq na ndezën
urrejtjen qi rroposë.
Heu e tmerrshme ajo ditë tri herë fatore
kur shokët qi nuk ranë,
me shpirtin dalldisur për fitore,
do t’thrrasin gjakun tonë.
Dridhnju tiranë mbi frona e ju xhelatë
qi vegla u bâh’ ni qorre.
E zezë asht nata, por s’ashtë veç një natë.
Dielli i liris, ti shporre!
E n’se lypet durim e besë qi s’vdaret.
aq sa më dhambë me bre
hekurin që kryqzon dyert e dritaret,
qoftë ajo ligjë për né.
Nga gropa burgjesh me njeni-tjetrin rrokë
me besën e dëshmorit,
nga shpirti i bamë thëngjill qyshkur, o shokë,
pa shfrim mbrenda kraharorit,
ushton kanga e kushtrimit. Then çelikun,
shpartallon ledh e strehë,
dhe si shqiponja e flamurit vërtikun
ndër qiellna t’lira zhgrehë.
Përpëlitet Shqipnija nën mizoren
thundër si krymb n’handrak.
Heu, deri kur ma do puthim dorën
qi syt na i plasi gjak?
Kushtrim, o male, o fusha! Qitni bén
ksaj zgjedhe fund me i dhanë!
Ta zhbijmë krajtën qi na e bani atdhen
veç burg e kasaphanë.
Këto janë vargjet e një poezie krijuar në burg, në një nga ato burgjet shqiptare ku vuajti edhe Arshi Pipa, autori i këtyre rreshtave ku rrëfehen torturat e diktaturës. Arshi Pipa jetoi në tre burgje, por i shpëtoi prej tyre e prej vdekjes, falë një arratie.
Po, kush ishte Arshi Pipa, i ashtuquajtur për shumë vite ‘‘armiku i një populli’’ që sipas diktaturës nuk donte liri? Kush ishte studiuesi, kritiku, pedagogu, shkrimtari dhe mendjendrituri që i ndryshuan edhe datën e lindjen vetëm për ta shpallur të padenjë për Shqipërinë?
Arshi Pipa, u rrit në Shkodër si një njeri i lirë. libri e mësoi që në moshën 5 vjeçare se nuk donte të ishte komunist, madje as palë me ndonjë sistem totalitar të botës.
Pas fëmijërisë në Shkodër, Pipa udhëton në Firence ku me rezultate të shkëlqyera në moshën 22 vjeçare do ta quanin doktor të filozofisë. Edhe aty do të njihej si kundërshtar i fashizmit.
Kthimi në Shqipëri do të ishte edhe më i vështirë. një jetë e përcjellë nëpër burgje. 10 vite, nga burgu i Tiranës, pastaj në Durrës, në Vloçisht e më vonë në Korçë e Burrel. në qelitë e këtij të fundit në letra cigaresh shkroi Librin e burgut.
Në vitin 1956, pas 10 vitesh vuajtje në burgjet famëkeqe të Shqipërisë, Arshi pipa lirohet, por jeta ishte e pamundur. mungesa e lirisë po i priste krahët, por me forcat e mendimeve të tij të lira vetëm pak muaj pas lirimit ai bluante në mendje planin e arratisjes.
Në 1957-ën, u arratis duke kaluar Bunën, duke u vendosur për një vit në Sarajevë, më pas në Italia nga ku zgjodhi të shkonte në shtetet e bashkuara të Amerikës. Kaloi thuajse 40 vjet përtej oqeanit për të mos u kthyer më deri pas shembjes së regjimit komunist në vendin e tij. Edhe atë kohë erdhi vetëm për vizitë. këto janë shëtitjet e pakta që ai kreu në Shkodër, në vitin 1992. e ndonëse në Shqipëri erdhi vetëm dy herë, nuk rreshti kurrë së shkruari për letërsinë dhe kulturën shqiptare.
Arshi pipa është një ndër të paktët kritikë që ka shkruar për politikën, letërsinë, poezinë, vuajtjet në burgjet shqiptare, por edhe ese për shoqërinë shqiptare në katër gjuhë të huaja. Vepra e tij njihet pak në shqip. E ai vijon të ndihet i refuzuar.
Duket se letrat shqipe në një vend thuajse demokratik janë ende refuzuese për të. arsyet nuk dihen. vërtet është e vështirë të përkthehet vepra e tij, por më e vështirë është të tejkalohet censura që iu bë nga sistemi komunist dhe muret e ngritura për të, mure që ende e pengojnë veprën e tij. Një mendje që endet në Amerikë, me mendjen te letërsia, politika dhe zhvillimet në Shqipëri, një shqiptar mysliman që dha mësime për fenë katolike, një nxënës i shkollë françeskane, këtë fundkorriku festonte 100 vjetorin e lindjes, ende i panjohur në vendin e tij. (A2 Televizion)