
Rusia do t’i kundërpërgjigjet çdo dërgimi armësh bërthamore me rreze të mesme në Evropë duke shënjestruar jo vetëm vendet ku ato raketa do të stacionohen, por edhe vetë Shtetet e Bashkuara. Kërcënimi është bërë nga vetë presidenti, Vladimir Putin. Në adresimin e tij të përvitshëm në parlament për Gjendjen e Shtetit, Putin thotë se Rusia nuk kërkon konfrontim, por do të zhvillojë armë për vetëmbrojtje.
“Rusia do të jetë e detyruar të krijojë dhe zhvillojë armë, që mund të përdoren jo vetëm ndaj atyre territoreve që na dërgojnë kërcënime direkte, por edhe ndaj atyre territoreve ku janë të vendosura qendrat vendimmarrëse, që përdorin sisteme raketore që na kërcënojnë”, tha Putin.
Putin kritikoi Shtetet e Bashkuara për braktisjen e Traktatit Për Forcat Bërthamore me Rreze të Mesme, që në fakt duket dhe si sulm ndaj politikave të presidentit Donald Trump.
“Duket sikur partnerët tanë nuk e shikojnë se si dhe me çfarë ritmi po ndryshon bota si dhe në çfarë drejtimi po shkon. Ata vazhdojnë me politikat e tyre destruktive dhe dukshëm të gabuara. Nuk përkon as me interesin e vetë Shteteve të Bashkuara”, deklaroi presidenti rus.
Ndër të tjera, shefi i Kremlinit zbuloi dhe përforcimet e reja në mbrojtje duke prezantuar disa nëndetëse. Gjithashtu tha se vijon puna për ndërtimin e armëve të reja. (A2 Televizion)