Amerika kërkon llogari për Preshevën, miratohet projektligji: DASH të përgatisë raport për trajtimin e shqiptarëve

Nga Rosalba Bejdo
22 Janar 2026, 15:26 | Ballkani

Çështja e diskriminimit të shqiptarëve në Serbi, shkon në Departamentin Amerikan të Shtetit.  Anëtarët e Komitetit për Punë të Jashtme të Kongresit amerikan votuan të mërkurën për ta çuar përpara një projektligj i cili i kërkon Sekretarit Amerikan të Shtetit ta përgatisë një raport gjithëpërfshirës lidhur me trajtimin e pakicave etnike në Serbi, posaçërisht të shqiptarëve etnikë në Luginën e Preshevës, raporton A2 CNN.

Projektligji i sponsorizuar nga kongresisti republikani Keith Self, u miratua me 43 vota për, tre kundër dhe asnjë abstenim. Pasi ta kalojë shqyrtimin e plotë, ky projektligj do t’i dërgohet për votim gjithë Dhomës së Përfaqësuesve. Më pas, ai duhet të miratohet edhe nga Senati dhe të nënshkruhet nga presidenti amerikan Donald Trump.

Projektligji kërkon të vlerësohen çështje me rëndësi, përfshirë pasivizimin e adresave të shqiptarëve, kufizimet në përdorimin e gjuhës shqipe në institucionet publike, diskriminimin në arsim, përfshirë mosnjohjen e diplomave të Kosovës dhe mungesën e teksteve shkollore në gjuhën shqipe, shkruan A2 CNN.

Shaip Kamberi, përfaqësuesi i vetëm i shqiptarëve në Kuvendin e Serbisë, shkroi në Facebook se “një betejë e gjatë dhe e drejtë, sot e kurorëzuar me sukses. Shtetet e Bashkuara po kërkojnë përgjegjësi ligjore dhe politike nga Beogradi për diskriminimin sistematik të shqiptarëve në Luginën e Preshevës”.

Kryetarja e Preshevës, Ardita Sinani, e përshkroi vendimin e Komitetit si “mesazh i qartë për Beogradin”, përcjell A2 CNN.

Në Serbi jetojnë më shumëse 60.000 shqiptarë, të cilët përbëjnë pakicën e katërt më të madhe atje, sipas regjistrimit të fundit të popullsisë më 2022. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos