Maqedonia e Veriut vijon të jetë në gjendje shoku, pas zjarrit në klubin e natës në Koçan, ku humbën jetën 59 të rinj e u plagosën mbi150 të tjerë. Kryeministri Hristijan Mickoski përsëriti gjatë së martës se të gjithë përgjegjësit për tragjedinë do të përballen me drejtësinë dhe do të marrin dënimin e merituar.
Micksoki madje tha se organet hetuese do të hyjnë në Komunën e Koçanit dhe do t’i kontrollojnë te gjitha dokumentet.
“Se sa është përgjegjësia e kryetarit të Komunës së Koçanit do të vendose Prokuroria. Kryetari në dorëheqjen e tij ka shkruar se është në dispozicion, nuk ikën. Organet hetuese do të hyjnë edhe në Komunë. Dhe do ti kontrollojnë të gjitha dokumentet. Askënd nuk do ta mbrojmë, madje sikur të jetë edhe “Shën VMRO-ja”, tha Mickoski.
Zemërimi ka shpërthyer mes qytetarëve që protestuan në Shkup, Koçan e qytete te tjera gjatë së hënës, për të kërkuar drejtësi për viktimat e duke fajësuar korrupsionin si përgjegjës për ngjarjen.
“Ky objekt funksionon prej disa vitesh dhe fëmijët e mi, të cilët tani janë rreth të 30-tave, kanë shkuar atje. Kam një hangar ku mbaj bagëtitë e mia dhe është prej materiali të ngurtë, i mbuluar me tjegulla dhe gurë, dhe nuk mund të digjet. Po ajo diskoteke as hangar s’mund të jetë. Dyert ishin të tilla sa mund të mbeteshe brenda. Si mund të lejohen atje aq shumë njerëz, dhe si ka mundësi që një objekt i tillë është lejuar të operojë prej vitesh? Jo vetëm kaq. 90 përqind estrukturave në Maqedoni janë të tilla”, tha Mitko Petrusev.
Gjykata Themelore e Koçanit i ka caktuar masën e paraburgimit ish ministrit të Ekonomisë, Kreshnik Bekteshit, ish-drejtorit të Inspektoratit të Tregut, Goran Trajkovski dhe 12 të arrestuarve të tjerë mbi dyshimet se mund të kenë gisht në tragjedinë e Koçanit, përkatësisht në dhënien e licencës së falsifikuar për klubin e natës “Pulse”.
Gjykata ka njoftuar se në përputhje me ligjin në afat brenda tre orëve janë ankuar të gjithë të dyshuarit për masën e caktuar, por këshilli penal në këtë fazë të procedurës i ka refuzuar të gjitha ankesat.
Ndërkohë, edhe 20 pacientë të rinj nga tragjedia e së dielës, janë shtruar në spital të martën, në mesin e tyre edhe 3 zjarrfikës. Me ta, numri i personave të shtruar në spital brenda vendit, arrin në 90. Të plagosur të tjerë janë dërguar për trajtim të specializuar në shtete fqinje, të tilla si Bullgaria, Turqia, Serbia, Greqia apo Sllovenia. (A2 Televizion)