
Në një intervistë ekskluzive për emisionin “Rretheqarkë” në A2 CNN me gazetarin Ideal Gola, Bojana Zoriç nga Instituti Europian për Studime në Siguri foli për zhvillimet e fundit në Ukrainë, rolin e Europës në procesin e paqes dhe situatën e sigurisë në Ballkanin Perëndimor.
Zoriç e konsideroi pozitive faktin që palët po negociojnë një marrëveshje paqeje në Ukrainë, duke theksuar se çdo marrëveshje duhet të garantojë se Rusia nuk do të rinisë agresionin. Ajo tha se, megjithëse SHBA po ndërmjetëson bisedimet, vendet europiane nuk do të mbeten jashtë procesit, pasi lufta zhvillohet në kontinentin e tyre dhe ato kanë të drejtë të jenë pjesë e vendimmarrjes.
Sa i përket mbështetjes europiane për Ukrainën, Zoriç theksoi se BE-ja dhe partnerët e saj kanë ofruar ndihmë të gjerë financiare, ushtarake dhe humanitare që nga dita e parë e pushtimit rus. Ajo nënvizoi se garancitë për sigurinë e Ukrainës duhet të jenë të forta, pasi “fjala e një shteti agresor nuk mjafton”.
Duke folur për Ballkanin Perëndimor, Zoriç vlerësoi mbështetjen që shumica e vendeve të rajonit i kanë dhënë Ukrainës, përfshirë ndihmën humanitare dhe pritjen e refugjatëve. Ajo kujtoi se raportet e fundit të progresit nga Komisioni Europian tregojnë një momentum të ri pozitiv për procesin e zgjerimit, veçanërisht për Shqipërinë dhe Malin e Zi, shkruan A2 CNN.
Lidhur me dialogun Kosovë-Serbi, ajo theksoi se sfida më e madhe mbetet zbatimi i marrëveshjeve ekzistuese dhe se BE-ja po përpiqet ta mbajë procesin gjallë. Sipas saj, hapësira për progres qëndron tek çështjet teknike dhe përfitimet konkrete për qytetarët. Ajo vuri në dukje rolin e rëndësishëm të shoqërisë civile në uljen e tensioneve.
Sa i takon sigurisë në rajon, Zoriç tha se, pavarësisht protestave dhe ngjarjeve politike në disa vende, nuk është shënuar përshkallëzim i konflikteve dhe NATO e BE mbeten të angazhuara për stabilitetin e Ballkanit. Sipas saj, udhëheqësit vendorë duhet të shmangin retorikën përçarëse dhe të punojnë për një klimë të sigurt dhe të qëndrueshme. (A2 Televizion)