Ish zëvendëskryeministri i parë i Maqedonisë së Veriut, Artan Grubi, është vetëdorëzuar tek autoritetet pas disa muajsh në arrati. Lajmi raportohet nga mediat shqiptare në Maqedoni të Veriut, që kanë publikuar dhe video nga momenti i dorëzimit në pikën kufitare të Ballacës, që e lidh shtetin me Kosovën, shkruan A2 CNN. Ministria e Brendshme ka konfirmuar arrestimin e tij përmes një deklarate.
“Në orën 06:10, në pikën kufitare Bllacë, në hyrje të shtetit, është privuar nga liria Artan Grubi, i cili kërkohej me fletarrest ndërkombëtar”, lexohet në një deklaratë. Artan Grubi është i përfshirë në një hetim që lidhet me dyshime për keqpërdorim të postit zyrtar, korrupsion dhe shkelje të procedurave të prokurimit publik, në kuadër të rastit që ka të bëjë me funksionimin dhe kontratat e Lotarisë Shtetërore të Maqedonisë së Veriut.
Sipas drejtësisë në Maqedoni të Veriut, hetimet kanë të bëjnë me vendime dhe kontrata që dyshohet se kanë shkaktuar dëme financiare të konsiderueshme në buxhetin e institucionit, që përllogariten në 500 milionë denarë apo mbi 8 milionë euro. Prokuroria pretendon se përmes procedurave të kontestuara janë favorizuar subjekte të caktuara ekonomike.
Gjykata paraprakisht kishte caktuar masë paraburgimi ndaj Grubit, ndërsa autoritetet e kishin shpallur në kërkim për shkak të mosparaqitjes para organeve të drejtësisë. Grubi ishte vendosur në listën e zezë edhe nga Shtetet e Bashkuara. (A2 Televizion)