Përfaqësuesja e Bashkimit Evropian për Politikë të Jashtme dhe Sigurinë, Kaja Kallas, ka kritikuar pjesëmarrjen e presidentit serb, Aleksandar Vuçiç, në paradën ushtarake në Moskë, duke thënë se shtetet anëtare kanë shumë pyetje për Vuçiçin, rreth asaj se kush është vërtet mik i Serbisë.
Për të njëjtën temë ka reaguar edhe Ministrja e Jashtme në Detyrë e Kosovës Donika Gërvalla, e cila tha se vizita e presidentit të Serbisë, në Rusi është mesazh që bota perëndimore të ndalë politikën ledhatuese për Serbinë.
“Vuçiçi edhe në të kaluarën ka dhënë mesazhe destruktive. Ju kujtohet se vetëm në shtator 2023 ne u përballëm me sulm që erdhi direkt nga Serbia me paramilitarë që na sulmuan dhe që kishin armatim të madh, anti-tank dhe anti-ajror. E dini se Kosova s’ka tanke. Këto armë janë të dizajnuara për t’i kërcënuar ushtarët tuaj që janë në KFOR dhe që mbrojnë paqen dhe mbrojnë qytetarët e Kosovës. Për mua është hap shumë normal vizita e Vuçiçit në Rusi, hapi i ardhshëm që Vuçiçi ia tregon gjithkujt se ku ai beson që Serbia i përket dhe me të vërtetë shpresoj që kjo do të bëjë që partnerët, aleatët të marrin mesazh të qartë dhe të ndalin politikën ledhatuese që ka dështuar në Rusi me Putinin dhe do të dështojë me Serbinë po ashtu. Por pyetja është se çka do të jetë çmimi që rajoni do të paguajë nëse Evropa, BE-ja dhe partnerët tanë perëndimorë vazhdojnë politikën ledhatuese për Serbinë shumë hegjemoniste që është kërcënim për të gjithë fqinjët tanë në rajon”.
“Ushtria serbe nuk po merr pjesë në parade dhe kjo është një anë pozitive. Kjo do të kishte qenë vërtet një nivel tjetër. Por sigurisht që mbetet në ndërgjegjen e këtyre njerëzve që shkojnë krah për krah me Putinin, i cili po zhvillon një luftë tani – luftën më të madhe në Evropë që nga Lufta e Dytë Botërore. Sigurisht, shtetet anëtare nuk po e përtypin lehtë këtë. Kur diskutojmë hapat e ardhshëm, atëherë shtetet anëtare kanë shumë pyetje. Kush është miku juaj me të cilin keni të bëni vërtet?”. (A2 Televizion)