Kundërpërgjigje ndaj paktit shqiptaro-kroat? Serbia dhe Hungaria firmosin marrëveshjen ushtarake

Nga Erjon Dervishi
1 Prill 2025, 20:10 | Ballkani

Serbia dhe Hungaria kanë nënshkruar një marrëveshje në fushën e mbrojtjes. Nënshkrimi marrëveshjes ushtarake shihet si një kundërpërgjigje ndaj marrëveshjes trepalëshe, mes Shqipërisë, Kosovës dhe Kroacisë. Marrëveshja për bashkëpunim strategjik në fushën e mbrojtjes u nënshkrua në Pallatin presidencial midis ministri serb të Mbrojtjes, Bratislav Gashiç dhe atij hungarez, Krzysztof Bobrovnicki.

I pranishëm në nënshkrimin e kësaj marrëveshje ishte edhe Presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiç. Në fjalën e tij, Vuçiç theksoi se elementët kryesorë të kësaj marrëveshje është bashkëpunimi ushtarak, i cili reflektohet përmes zbatimit të stërvitjeve dypalëshe, si dhe bashkëpunimi ushtarak-teknik në fushën e prokurimit të sistemeve dhe armëve.

"Dokumenti i nënshkruar nga të dy ministrat konkretizon marrëveshjen për bashkëpunim strategjik në fushën e mbrojtjes të arritur në vitin 2023. Kemi rënë dakord për numrin më të madh të aktiviteteve për këtë vit. Deri më tani janë 79 të tillë, pothuajse dy herë më shumë se në vitin 2023 kur kishim 48 të tillë. Ajo që kemi rënë dakord me miqtë tanë hungarezë është e një rëndësie të madhe për ne", tha Vuçiç.

Nga ana e tij, Ministri hungarez i Mbrojtjes falënderoi Presidentin Vuçiç për nënshkrimin e marrëveshjes dhe vuri në dukje se Serbia dhe Hungaria gjithmonë konsultohen me njëra-tjetrën.

"Serbia nuk është në BE, por ne kemi konsultime në nivelin më të lartë. Që nga viti 2023 kemi zgjeruar bashkëpunimin për të përfshirë bashkëpunimin ushtarak dhe sot kemi kaluar në planin për vitin 2025. Ne kontribuojmë në bashkëpunimin e shkëlqyer mes dy vendeve. Hungaria është gjithmonë në anën e paqes dhe Serbia është aleate e Hungarisë në këtë proces”, tha Krzysztof Bobrovnicki.

Serbia dhe Hungaria kanë një marrëdhënie të veçantë mes tyre, si dy vende që nuk pranojnë emigracionin nga vendet e Lindjes së Mesme. Dokumenti i nënshkruar në fushën e mbrojtjes konkretizon marrëveshjen për bashkëpunim strategjik në fushën e mbrojtjes të arritur në vitin 2023. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos