Shërbimi sekret serb, BIA, ka intensifikuar përpjekjet për të ndikuar në perceptimin publik duke përdorur Inteligjencën Artificiale për të fabrikuar dezinformata dhe për të njollosur figurat politike nga komuniteti serb por që janë kundër Listës Serbe.
Instituti për Studime të Luftës Hibride “Octopus” ka ngritur alarmin se shërbimi sekret serb i njohur si BIA është duke shfrytëzuar inteligjencën artificiale për të goditur kundërshtarët e Listës Serbe në zgjedhjet e së dielës.
Nenad Rasiç, Branimir Stojanoviç, Aleksandar Arsenijeviç dhe Radojiça Radomiroviç janë ndër viktima të këtij sulmi të orkestruar, ku imazhet dhe informacionet e rreme po përdoren për të manipuluar opinionin publik dhe për të penguar alternativat politike ndaj Listës Serbe.
“Këta kandidatë nëpërmjet inteligjencës artificiale ku është forma më e lehtë këta po krijojnë dokumente false që kinse ata janë duke i tradhtuar serbët, po krijojnë imazhe të tyre false për bashkëpunime të ndryshme dhe po krijojnë video të ndryshme si përfaqësim i tyre për denigrimin e identitetit të tyre në rrjete sociale në mënyrë që ato të shpërndahen pastaj”, thotë Gurakuç Kuçi nga instituti “Octopus”.
Lista Serbe konsiderohet se përbën kërcënim për përfaqësuesit e partive të tjera serbe pasi kanë ndodhur edhe sulme fizike në Graçanicë, ndërsa Beogradi zyrtar po vijon të shpërndajë mjete në emër të ndihmave sociale në mënyrë që të blejë vota për këtë subjekt politik.
“Lista Serbe në rend të parë duke i shantazhuar punëtorët që janë nga arsimi dhe nga shëndetësia, për shkak se këta dy sektorë ende mbulohen nga pagat që vijnë nga Serbia dhe duke i detyruar ata që të votojnë Listën Serbe me shantazhin që do t’iu ndalen pagesat dhe do të përjashtohen nga puna”, shprehet Gurakuç Kuçi.
E gjithë mbështetja e Beogradit zyrtar për Listën Serbe thuhet se bëhet në mënyrë që të Serbia të ketë ndikimin e saj në institucionet e Kosovës.
Gjithashtu, një element tjetër që është vënë re nga ky institut që cenon demokracinë brenda komunitetit serb është e nxitja e narracionit të “tradhtarit”.
“Kushdo që nuk voton për Listën Serbe konsiderohet tradhtar në këtë mënyrë janë duke i linçuar të gjithë serbët që kinse janë duke e tradhtuar kombin serb, duke e tradhtuar Serbinë, identitetin e tyre nëse nuk e votojnë Listën Serbe”, vijon Kuçi.
Serbët kanë mundësi që të dielën të zgjedhin mes partive: Lista Serbe, Demokracia Serbe, Lëvizja Kombëtare Serbe, Partia për Liri, Drejtësi dhe Mbijetesë, Partia e Serbëve të Kosovës dhe Nisma Qytetare Drejtësia Popullore. (A2 Televizion)