Përgatitjet për një takim midis presidentit rus Vladimir Putin dhe homologut amerikan Donald Trump janë në një "fazë të avancuar". Kështu tha sot një ligjvënës i lartë në Moskë, sipas agjencisë shtetërore ruse të lajmeve RIA.
Sipas RIA, Leonid Slutsky, kreu i komitetit të çështjeve ndërkombëtare në Dumën e Shtetit, tha se takimi mund të zhvillohet në shkurt ose mars.
Trump dhe Putin kanë thënë të dy se duan të kenë një takim, axhenda e të cilit mund të përfshijë kontrollin e armëve bërthamore dhe çmimet globale të energjisë, si dhe synimin e deklaruar të Trump për t'i dhënë fund luftës në Ukrainë.
Slutsky tha gjithashtu se pret që të dy udhëheqësit të bisedojnë edhe për situatën në Lindjen e Mesme.
“Kjo punë kërkon përgatitje serioze, e cila - nuk po zbuloj asnjë sekret - aktualisht është në një fazë të avancuar”, tha ai.
Slutsky nuk pranoi të spekulojë se kur mund të zhvillohet takimi.
“Shkurt ose mars, le të mos bëjmë supozime dhe le t'u japim liderëve mundësinë që të përgatiten për të në një mënyrë adekuate dhe gjithëpërfshirëse, por do të jetë së shpejti”, tha ai, sipas RIA. (A2 Televizion)