Një operacion i përbashkët mes Policisë Kufitare të Malit të Zi dhe Shërbimit të Sigurisë së Aeroportit të Podgoricës ka çuar në ndalimin e dy shtetasve turq që tentuan të kontrabandonin një sasi të konsiderueshme droge.
Gjatë një kontrolli rutinë në pikën kufitare të aeroportit, në dalje nga Mali i Zi, oficerët e Policisë ndaluan dy persona me inicialet C.E. (26) dhe T.T. (24), të dy me leje qëndrimi dhe pune të përkohshme në vend.
Gjatë kontrollit fizik, oficerët zbuluan pako të mbështjella me shirit ngjitës të fshehura nën rrobat e tyre, në zonën e stomakut dhe ijëve.
Sipas njoftimit, njërit prej tyre iu gjet rreth 490 gramë marihuanë, ndërsa tjetrit, 440 gramë, të gjitha të fshehura në mënyrë identike në trupin e tyre.
Hetimet e mëtejshme çuan në kontrollimin e apartamentit të marrë me qira nga të dyshuarit në lagjen Zabjelo, ku u gjetën edhe materiale të tjera narkotike, përfshirë një sasi të vogël marihuane. (A2 Televizion)