Serbia vazhdon çmenduritë e saj lidhur me pretendimet për Kosovën. Këtë herë, ministri i jashtëm, Marko Gjuriç, ka dashur që të përgënjeshtrojë pretendimin se i ka kërkuar Rusisë që të mos flasë më për Kosovën në OKB, duke treguar synimet e vërteta të vendit të tij, shkruan A2 CNN. “Lufta jonë për Kosovën është e vazhdueshme. Unë kurrë nuk do të heq dorë nga lufta për popullin tonë në Kosovë, për Serbinë në Kosovë”, theksoi ministri, sipas asaj që raportojnë mediat në Beograd.
Gjuriç shtoi dozën e kërcënimeve duke theksuar se është “optimist në planin afatmesëm” lidhur me çështjen e Kosovës. “Nëse arrijmë të forcojmë kapacitetet tona, ekonominë tonë, të fitojmë aleatë të rinj dhe të shmangim përfshirjen në konflikte, jam i bindur se në planin afatmesëm dhe afatgjatë, fati dhe historia do të jenë në anën tonë”, kërcënoi ministri serb, duke lënë të kuptohet se po përgatisin ndonjë ndërhyrje.
“Në fund të fundit, Kosova nuk është vetëm çështje territori, por përgjigja e pyetjes më të rëndësishme: kush jemi ne”, nënvizoi ai. Ministri shpjegoi se ka kërkuar që në çdo ambasadë të Serbisë të punojë një zyrë për Kosovën. (A2 Televizion)