Serbia reagoi me zemërim ndaj takimit trepalësh mes shefave të mbrojtjes së Shqipërisë, Kosovës dhe Kroacisë në Tiranë, i cili synonte thellimin e bashkëpunimit dhe koordinimit ushtarak.
Ministria e Mbrojtjes në Beograd e cilësoi këtë si një shkelje të rëndë të Rezolutës 1244, ndërsa theksoi se përpjekjet për të institucionalizuar dhe forcuar më tej Forcën e Sigurisë së Kosovës përmes marrëveshjeve ushtarake rajonale përfaqësojnë një goditje të drejtpërdrejtë ndaj rendit ligjor ndërkombëtar dhe një kërcënim serioz për paqen dhe stabilitetin në rajon, shkruan A2 CNN.
“Ky veprim përfaqëson një shpërfillje të qartë dhe shkelje të rëndë të Rezolutës 1244 të Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara dhe Marrëveshjes Ushtarako-Teknike të Kumanovës. Kosova është pjesë integrale e Republikës së Serbisë, nën administrimin e përkohshëm të OKB-së, dhe KFOR-i është i vetmi formacion i armatosur legjitim në territorin e Kosovës dhe Metohisë, me një mandat të përcaktuar qartë”, thuhet në reagimin e Ministrisë së Mbrojtjes.
Sipas saj, lëvizje të tilla kanë potencialin të prodhojnë pasoja afatgjata të sigurisë dhe të destabilizojnë situatën në Ballkanin Perëndimor.
“Republika e Serbisë e sheh këtë aleancë ushtarake si një faktor presioni dhe një sfidë sigurie për Serbinë dhe popullin serb në Kosovë. Vendi ynë mbetet i përkushtuar për ruajtjen e paqes, por njëkohësisht dërgon një mesazh të qartë se nuk do të lejojë që interesat e saj jetësore kombëtare dhe mbrojtëse të rrezikohen.”
Ministri i Integrimit Evropian i Serbisë, Nemanja Staroviç, e cilësoi aleancën si një destabilizim të maskuar si bashkëpunim, duke e quajtur atë një provokim skandaloz në Ballkan.
“Kroacia dhe Shqipëria, dy anëtare të NATO-s, po ndërtojnë hapur një aleancë ushtarake me të ashtuquajturën Kosovë, një entitet që nuk njihet ndërkombëtarisht dhe që i ndalohet shprehimisht nga Rezoluta 1244 e Këshillit të Sigurimit të OKB-së dhe ligji ndërkombëtar të ketë një ushtri. Cili është qëllimi i vërtetë, nëse jo të rrethohet, frikësohet dhe kërcënohet Serbia?” shtoi ai.
Staroviç përfundoi se kjo lëvizje e pamatur, sipas tij, po shkatërron qëllimisht paqen e brishtë në rajon. (A2 Televizion)