Putin: Rusia “ka ide” si të zgjidhet çështja e NIS-it të sanksionuar serb

Nga A2 CNN
19 Dhjetor 2025, 16:50 | Ballkani

Putin: Rusia “ka ide” si të zgjidhet çështja e

Presidenti i Rusisë, Vladimir Putin, ka thënë të premten se Moska "ka ide" se si mund të zgjidhet çështja e Industrisë së Naftës së Serbisë (NIS), e cila është nën sanksione amerikane, dhe se bisedimet me Serbinë janë duke vazhduar.

"Ne kemi ide se si, në çfarë mënyre dhe në çfarë drejtimi mund të ecim përpara së bashku. Një dialog i tillë është duke u zhvilluar me miqtë tanë në Serbi. Shpresojmë se do ta gjejmë zgjidhjen e duhur", tha Putin, raportoi agjencia ruse e lajmeve TASS.

Shtetet e Bashkuara vendosën sanksione kundër NIS-it më 9 tetor, pasi Rusia zotëron shumicën e aksioneve të saj.

SHBA-ja ngul këmbë që kompanitë ruse, të cilat zotërojnë 56.2 për qind të aksioneve në industrinë serbe, të largohen nga NIS.

Putin tha në konferencën e tij vjetore për fundvit se Rusia supozon se "udhëheqja miqësore e Serbisë" do t’i përmbushë detyrimet e saj ndaj NIS-it.

"Ne kemi marrëveshje ndërqeveritare me Serbinë në lidhje me miratimin e çdo kufizimi në lidhje me këtë entitet tregtar. Dhe, sigurisht, ne supozojmë se udhëheqja miqësore e Serbisë do ta mbajë mend këtë dhe do t’i përmbushë detyrimet e saj. Përndryshe, lind pyetja: si mund të investojmë para në ekonominë e vendit dhe ku janë garancitë e sigurisë nëse as marrëveshjet ndërqeveritare nuk funksionojnë", tha Putin.

Sanksionet amerikane filluan të zbatohen në tetor pasi paraprakisht ishin shtyrë disa herë.

Në mungesë të licencës, rafineria e naftës e NIS-it në Pançevë, u mbyll në fillim të dhjetorit, ndërsa Beogradi pretendon se bisedimet me Moskën për një ndryshim të pronësisë janë duke vazhduar. Serbia i ka dhënë Rusisë afat deri më 15 janar.

Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiç, theksoi më 16 dhjetor se pala ruse dhe një kompani e madhe po negociojnë për NIS-in, por se Beogradi zyrtar nuk po merr pjesë në këtë.

“Mendoj se negociatat janë drejt përfundimit midis palës ruse dhe një kompanie të madhe”, tha Vuçiç në atë kohë, pa specifikuar se cila kompani ishte e përfshirë.

As pala amerikane dhe as ajo ruse nuk kanë publikuar informacione rreth përparimit të bisedimeve, dhe qytetarët janë njoftuar për këtë gjendje nga zyrtarët serbë, kryesisht nga Vuçiçi.

Qëllimi i sanksioneve që synojnë sektorin e energjisë ruse, të cilat kanë goditur kompaninë më të madhe të naftës në Serbi, është të parandalojnë Rusinë nga financimi i mëtejshëm i pushtimit të Ukrainës./ REL (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos