
Shtetet e Bashkuara të Amerikës i kanë zgjatur licencën për punë Industrisë së Naftës së Serbisë (NIS) deri më 23 janar, njoftoi ministrja e energjetikës së Serbisë, Dubravka Gjedoviq Handanoviq.
“Kjo do të thotë që rafineria në Pançevë pas 36 ditësh do të mund të vazhdojë punën”, shkroi ajo në Instagram më 31 dhjetor 2025.
Që nga fillimi i tetorit, kompania më e madhe e naftës në Serbi, NIS, ndodhet nën sanksione të Zyrës për Kontrollin e Pasurisë së Huaj (OFAC) të Departamentit amerikan të Thesarit, për shkak të pronësisë shumicë ruse.
Për shkak të pamundësisë për të importuar naftë të papërpunuar, më 2 dhjetor u mbyll Rafineria e Pançevës, e vetmja në Serbi, përcjell A2.
JANAF: Jemi të gatshëm për furnizim të pandërprerë të rafinerisë
Për shkak të sanksioneve amerikane u ndërpre edhe transporti i naftës përmes naftësjellësit JANAF nga Omishlli deri në Pançevë, naftë e cila për në NIS dërgohet nga Kroacia me anije.
Më 31 dhjetor, JANAF njoftoi se administrata amerikane ka lëshuar licencën për vazhdimin e transportit të naftës për NIS-in, e cila do të vlejë deri më 23 janar 2026.
“JANAF në bashkëpunim me Qeverinë e Kroacisë, ka marrë licencën që lejon deri më 23 janar 2026 pjesëmarrjen në aktivitetet që janë të zakonshme dhe të nevojshme për transportin e naftës në përmbushje të marrëveshjes për transportin e naftës së papërpunuar me kompaninë NIS”, thuhet në njoftimin e kompanisë.
JANAF e mirëpriti vendimin e OFAC-ut dhe theksoi se është “plotësisht i gatshëm menjëherë të sigurojë transportin e pandërprerë dhe furnizimin e rafinerisë në Pançevë me naftë të papërpunuar”.
“Gjithashtu shpresojmë në përfundimin e shpejtë të negociatave midis NIS dhe partnerëve potencialë për blerjen e pjesës ruse në këtë kompani, duke përmbushur kështu kushtet e përcaktuara nga regjimi i sanksioneve,” njoftoi JANAF.
RTS: Deri më 23 janar mund të përfundojnë negociatat me MOL-in hungarez
SHBA-ja insiston që kompanitë ruse të dalin nga pronësia e NIS-it, pjesa e të cilit aktualisht është 56.2%.
Radiotelevizioni i Serbisë (RTS), duke iu referuar burimeve të paidentifikuara, ka raportuar se deri më 23 janar mund të përfundojnë negociatat e aksionarëve rusë të NIS-it me kompaninë hungareze MOL.
Qeveritarë serbë kishin bërë më parë me dije se këto negociata janë në zhvillim e sipër.
Presidenti i Rusisë, Vladimir Putin, deklaroi më 19 dhjetor se Rusia “ka ide” se si dhe në çfarë drejtimi mund të zgjidhet çështja e Industrisë së Naftës së Serbisë dhe se një dialog i tillë me Serbinë është në zhvillim.
Autoritetet amerikane në fund të dhjetorit i kanë zgjatur afatin Industrisë së Naftës së Serbisë për shitjen e pronësisë ruse. Megjithatë, ky vendim nuk e autorizon NIS-in të operojë gjatë negociatave për gjetjen e një pronari të ri kryesor potencial.
Qëllimi i sanksioneve ndaj NIS-it është të pengojë Rusinë që të përdorë të ardhurat nga sektori energjetik për të financuar pushtimin e Ukrainës./ REL (A2 Televizion)