Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiç ka lënë të nënkuptojë se do të jetë kryeministri i ardhshëm i vendit. Në një intervistë për prestigjiozen britanike, Vuçiç hodhi poshtë opozitën si të përçarë dhe të papërgatitur për zgjedhje.
“Me shumë mundësi, do të kemi zgjedhje parlamentare dhe pastaj presidenciale”, tha ai. Zgjedhjet parlamentare do të zhvillohen në fillim të dhjetorit, shtoi ai. “Nuk ka hapësirë për vendime të ndryshme.”
Ai gjithashtu i kërkoi Brukselit të braktisë qasjen gjithnjë e më të bazuar në meritë ndaj zgjerimit, sipas së cilës Mali i Zi dhe Shqipëria janë në krye, dhe në vend të kësaj t’i pranojë së bashku Ballkanin Perëndimor.
“Çfarë doni të ndërtoni? Kufij më të fortë midis të gjithëve?” tha ai, shkruan A2.
“Nëse të gjithë shkojmë së bashku nuk do të ketë kufij midis Prishtinës, Beogradit dhe të gjithë të tjerëve. Ne kemi nevojë që rajoni të jetë i bashkuar. Të mos jetë një zonë e re konflikti [midis] njerëzve që hyjnë në BE dhe të tjerëve që janë shumë larg kësaj”, u shpreh Vuçiç.
Vërejtjet e Vuçiç vijnë përpara takimeve të sotme për Ukrainën dhe Moldavinë për të hapur secila një “grup” tjetër negociatash për zgjerim dhe për Malin e Zi dhe Shqipërinë për të përfunduar fazat e negociatave. Serbia ka qenë kandidate për në BE që nga viti 2012, por pranimi ka ngecur gjatë mandatit 13-vjeçar të Aleksandar Vuçiç si arbitër kryesor në poste të ndryshme për kombin ballkanik. Kundërshtarët e tij, të cilët kërkojnë largimin e një udhëheqësi që e shohin si të korruptuar dhe autokratik, kanë kritikuar gjithashtu BE-në për dështimin në presionin më të fortë për reforma demokratike në Serbi.
Vuçiç foli edhe për dështimin e projektit të Trump për ndërtimin e një hoteli në Beograd. Vuçiç deklaroi se administrata e dytë e presidentit Donald Trump është shumë më e orientuar drejt biznesit sesa gjatë mandatit të parë. “Amerikanët janë njerëz të zgjuar… ata kërkojnë ndikim më të madh. Ne kemi nevojë për marrëdhënie të mira me Shtetet e Bashkuara dhe pres me padurim nisjen e një dialogu strategjik”, tha ai.
Vuçiç fajësoi gjithashtu Bashkimin Evropian për, sipas tij, kundërshtimin ndaj investimeve amerikane në rajon. “Nuk e kuptova sa e rëndësishme ishte për Evropën t’u tregonte amerikanëve se kush është shefi i vërtetë në kontinent”, tha ai.
Presidenti serb përmendi edhe Shqipërinë, duke iu referuar projektit të lidhur me Jared Kushner në zonën e Zvërnecit.
“Ne u tërhoqëm që në fazat e para. Në Shqipëri projekti vazhdoi dhe tani ata janë në probleme shumë më të mëdha se ne”, deklaroi Vuçiç. (A2 Televizion)