Tensionet në Ballkan po rriten, Kallas: Na duhet të lëvizim me procesin e zgjerimit

Nga Rosalba Bejdo
14 Prill 2025, 20:22 | Ballkani

Tensionet në Ballkanin Perëndimor po rriten, prandaj procesi i zgjerimit të bllokut duhet të vazhdojë. Ishte ky mesazhi që përcolli shefja e diplomacisë së Bashkimit Europina në nisje të takimit të këshillit për punët e jashtme në Luksemburg.

“Ne shohim se po rriten tensionet dhe definitivisht duhet të lëvizim me procesin e zgjerimit dhe kjo është diçka e prekshme dhe vërtetë na duhen histori suksesi”

Kallas nuk i përmendi shtetet, ku sipas saj po rriten tensionet por së fundmi ajo vizitoi Bosnjë Hercegovinën, ku autoritetet e Republikës Serbska kanë ndërmarrë veprime drejt shkëputjes së mundshme të entitetit nga pjesa tjetër e Bosnjës. Po ashtu, tensionet mes Kosovës dhe Serbisë –që dialogojnë për normalizim të raporteve që nga viti 2011 në Bruksel – janë të larta që prej vitit 2023, e qe kulmuan me sulmin terrorist ne Banjskë. Zyrtarja e lartë europian tha po ashtu se një natë më parë ka pasur “darkë shumë të mirë me miqtë” nga Ballkani Perëndimor.

Ministrja e Punëve të Jashtme dhe Diasporës, e cila përfaqësoi Kosovën në këtë takim, zhvilloi edhe një takim të ndarë me Kallas. Kryediplomatja Gërvalla tha përmes një postimi në Facebook se i ka kërkuar Kallasit që të trajtohet si “partnere e barabartë dhe e respektuar në të gjitha proceset integruese”.

“E ardhmja evropiane e Ballkanit Perëndimor nuk mund të jetë e plotë pa Kosovën, dhe mbështetja për vendin tonë është mbështetje për një Evropë më demokratike, më të barabartë dhe më të bashkuar. Prania dhe angazhimi ynë i fuqishëm në rajon janë burim stabiliteti dhe sigurie për gjithë kontinentin”.

Kosova ka aplikuar për anëtarësim në BE në dhjetor të vitit 2022. Por, ky aplikim ende nuk është shqyrtuar nga autoritetet në Bruksel. Kosova po ashtu është e vetmja në rajon që nuk e ka statusin e shtetit kandidat.  (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos