Kryeministri i Maqedonisë së Veriut, Hristijan Mickoski, dënoi thirrjet nacionaliste dhe ksenofobe kundër shqiptarëve, të bëra gjatë një ndeshjeje basketbolli të zhvilluar në Kumanovë. Mickoski, i cili ishte i pranishëm në ndeshjen mes Maqedonisë së Veriut dhe Rumanisë, tha se nuk i kishte vënë re thirrjet, pasi – siç pohoi – bëhej fjalë për një grup të vogël njerëzish.
“Dua ta shfrytëzoj këtë rast për t’iu bashkuar dënimit të nacionalizmit dhe ksenofobisë – fillimisht për atë që ndodhi gjatë ndeshjes së basketbollit ndërmjet Maqedonisë [së Veriut] dhe Rumanisë, dhe më pas për të dërguar një mesazh te të gjitha grupet e tifozëve: të mbështesin në mënyrë sportive, ta përkrahin ekipin e tyre dhe përfaqësuesen kombëtare të Maqedonisë”, tha ai.
Mickoski shtoi se thirrjet kundër shqiptarëve “do të jenë objekt hetimi dhe sanksionesh, pa marrë parasysh nga vijnë”. Prokuroria maqedonase ka nisur tashmë hetimet për ngjarjen.
Ndërkohë, presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka kërkuar që shteti fqinj të marrë masa të menjëhershme kundër organizatorëve të thirrjeve antishqiptare, shkruan A2 CNN.
“Thirrjet antishqiptare të dëgjuara gjatë ndeshjes në Kumanovë janë të papranueshme dhe cenojnë frymën e bashkëjetesës dhe respektit të ndërsjellë, që duhet të jenë themel i çdo shoqërie demokratike me aspirata evropiane. Edhe më shqetësues mbetet fakti që zyrtarët më të lartë shtetërorë në Shkup nuk kanë reaguar ndaj kësaj gjuhe urrejtëse e përjashtuese, duke lënë hapësirë për retorika që minojnë tolerancën ndëretnike dhe harmoninë që vendi synon të ndërtojë në rrugën e tij drejt familjes evropiane”, tha Osmani.
Sipas politikanëve shqiptarë në Maqedoninë e Veriut, gjatë ndeshjes së parë të fazës së dytë të parakualifikimeve për Kupën e Botës 2027, që do të mbahet në Katar, u dëgjuan thirrje si: “Shqiptar i mirë është shqiptari i vdekur”, “Dhomë gazi për shqiptarët”, “Maqedoni e pastër”.
Përveç Mickoskit, të pranishëm në ndeshje ishin edhe zëvendëskryeministri Ivan Stoilkoviq dhe ministri i Punëve të Brendshme, Panço Toshkovski.
Ngjarja ka shkaktuar reagime të forta nga përfaqësues të partive shqiptare në Maqedoninë e Veriut, si edhe nga politikanë në Kosovë dhe Shqipëri. (A2 Televizion)