Një shpërthim i fuqishëm me bombë tronditi Athinën, konkretisht pranë zyrave qendrore të kompanisë Hellenic Train në bulevardin Syngrou. Ngjarja ndodhi rreth orës 21:30 dhe sipas informacioneve nga autoritetet greke, mekanizmi shpërthyes ishte vendosur në një çantë shpine, e cila ishte e lidhur me një shtyllë përballë godinës së kompanisë.
Shpërthimi u parapri nga një telefonatë paralajmëruese në orën 20:53 në zyrat e Shoqatës së Gazetarëve Grekë (ESHEA), ku një person anonim njoftoi për vendosjen e një bombe që do të shpërthente pas 35-40 minutash, duke shtuar qartë se “nuk është shaka”.
Policia greke ndërmori menjëherë masa, duke krijuar një perimetër sigurie dhe duke mbyllur përkohësisht trafikun në bulevardin Syngrou. Në vendin e ngjarjes mbërritën forcat speciale të çminimit (TEEM), të cilat konstatuan një skuter pa targa pranë zonës, por më pas u saktësua se bomba ndodhej e vendosur në një shtyllë dhe jo mbi mjetin.
Pamjet filmike tregojnë momentin e shpërthimit, ku një dritë e fuqishme ndriçon zonën. Fatmirësisht, nuk pati të lënduar – as në mesin e punonjësve të kompanisë dhe as kalimtarë të rastësishëm – ndërsa dëmet materiale ishin të vogla.
Kompania Hellenic Train konfirmoi ngjarjen, duke theksuar se është në bashkëpunim të plotë me autoritetet dhe dënon çdo akt dhune që përçan shoqërinë dhe cenon progresin. Hetimet vijojnë, ndërsa autoritetet po analizojnë ngjashmëritë me një shpërthim të mëparshëm pranë Ministrisë së Punës vitin e kaluar.
(A2 Televizion)