Eksperti i marrëdhënieve ndërkombëtare, Egon Loli, komentoi lajmin e dorëheqjes së Aleksandar Vuçiç, i cili deklaroi se javët e ardhshme do të largohet nga posti i Presidentit.
“Është një përpjekje e Vuçiçit për të menaxhuar krizën sesa një përgjigje ndaj kërkesave të protestuesve. Vuçiç nuk po largohet nga politika, por po largohet nga një pozitë për të kaluar në një pozitë tjetër. Ai po përpiqet ta shndërrojë revoltën e qytetarëve serbë në avantazh për karrierën e vet politike, sepse ai do të zhvillojë zgjedhje edhe për President, edhe për kryeministër. Kështu që, synon të ndërrojë postin e Presidentit me atë të kryeministrit”, tha Loli.
Sipas tij, “kalimi nga President në kryeministër i shpëton karrierën politike”.
“Ai do ndryshojë edhe emrin e partisë dhe do garojë me listë tjetër. Po i ngre kurth protestuesve për të shuar protestat e tyre”, theksoi eksperti i marrëdhënieve ndërkombëtare. (A2 Televizion)