“Ajo është një engjëll tani”, familja e Matildës bën thirrje për dashuri pas tragjedisë në Bondi

Nga A2 CNN
18 Dhjetor 2025, 07:01 | Bota

“Ajo është një engjëll tani”, familja e

Familja e Matildës, viktimës më të re të sulmit të armatosur në Bondi të Sidneit, i ka bërë thirrje komunitetit që vdekja e 10-vjeçares të mos nxisë zemërim, por të shërbejë si një thirrje për dashuri dhe mirësi. Matilda ishte mes 15 personave që humbën jetën kur dy persona të armatosur hapën zjarr gjatë një aktiviteti që shënonte fillimin e Hanukkah në plazh.

Në funeralin e saj, tezja Lina Chernykh tha për BBC se, ndonëse komuniteti hebraik ka të drejtë të kërkojë më shumë veprime kundër antisemitizmit, Matilda do të donte që njerëzit të shpërndanin dashuri dhe lumturi në nder të saj.

"Merr zemërimin tënd dhe shpërndaj lumturi, dashuri dhe kujtim për mbesën time të dashur. Shpresoj që ndoshta ajo është një engjëll tani. Ndoshta ajo do t'i dërgojë botës disa energji të mira", tha ajo.

Shërbesa mortore u ndoq nga figura të larta shtetërore dhe anëtarë të komunitetit, të cilët mbanin simbole në nder të vajzës. Rabini Yehoram Ulman teksa bëri homazhe për jetën e shkurtër të Matildës, theksoi se ndarja nuk është e përjetshme.

"Vrasja tragjike, kaq mizore dhe e paimagjinueshme e Matildës së vogël është diçka për të gjithë ne sikur të na ishte marrë vajza jonë. Hebrenjtë besojnë se vdekja nuk është e përjetshme", tha Rabbi Ulman.

Sulmi i së dielës ishte incidenti më vdekjeprurës në vend që nga viti 1996, kur një person i armatosur vrau 35 persona gjatë masakrës së Port Arthur.

Policia e ka cilësuar sulmin si akt terrorist, i motivuar nga ideologjia e Shtetit Islamik. Autoritetet australiane njoftuan se do të forcojnë ligjet kundër urrejtjes, përfshirë masa më të rrepta ndaj antisemitizmit.

  (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos