Dy punonjës të Aeroportit Kombëtar të Uashingtonit janë arrestuar për publikimin e pamjeve të kamerave të sigurisë lidhur me aksidentin tragjik ajror që ndodhi javën e kaluar mbi lumin Potomac.
Sipas raportimeve të New York Post, 21-vjeçari Mohamed Lamine Mbengue dhe 45-vjeçari Jonathan Savoy, të dy punonjës të Autoritetit të Aeroporteve Metropolitan Washington, janë akuzuar për kopjim të paautorizuar të dosjeve të regjistrimit dhe mund të përballen me akuza për akses të paligjshëm në sistemet elektronike.
Problemet ligjore të dy burrave lidhen me publikimin e videove tronditëse të marra me telefona celularë, të cilat pas rrëzimit tragjik të helikopterit Black Hawk dhe avionit të American Airlines, u shpërndanë gjerësisht në media.
Përplasja, që ndodhi mbi lumin Potomac, shkaktoi vdekjen e 67 personave në bord. Pamjet e publikuara nga CNN zbuluan momentet dramatike të aksidentit, duke ngjallur shqetësime dhe pyetje rreth sigurisë ajrore dhe hapësirës ajrore të ngarkuar mbi aeroportin Ronald Reagan. (A2 Televizion)