Në një fjalim emocional dhe të fuqishëm në Kombet e Bashkuara, ambasadori i Palestinës, Riyad Mansour, ngriti zërin për vuajtjet e popullit të tij, duke theksuar veçanërisht tragjedinë që po përjetojnë fëmijët palestinezë në Rripin e Gazës.
Teksa nisi të qante me dënesë, Mansour deklaroi se që nga përfundimi i armëpushimit në muajin mars, më shumë se 1300 fëmijë janë vrarë. Ai përshkroi skena të dhimbshme me nëna që përqafojnë trupat e pajetë të fëmijëve të tyre, duke i ledhatuar dhe u kërkuar ndjesë, pamje që, sipas tij, janë të padurueshme për çdo njeri me ndërgjegje.
“Do të më falni, zoti President”, tha ai me zërin që i dridhej, “kam nipër e mbesa. E di çfarë domethënie kanë fëmijët për familjet e tyre. Si mund të qëndrojmë indiferentë ndaj kësaj tragjedie?”.
Ai u shpreh se populli palestinez, prej 14 milionësh të shpërndarë në territoret e pushtuara, në diasporë dhe në kampet e refugjatëve, është i pushtuar nga zemërimi dhe dhimbja. “Ne i duam fëmijët tanë, e duam popullin tonë. Nuk duam t’i shohim duke kaluar këtë tragjedi”, shtoi ai.
Ambasadori akuzoi ata që pretendojnë të luftojnë barbarinë, por që sipas tij, po kryejnë sulme të egra ndaj një populli të pafajshëm. (A2 Televizion)