Arma me rreze lazer! Britania revolucionizon ushtrinë, mbrojtje me vetëm 13 dollarë

Nga A2 CNN
14 Mars 2024, 10:18 | Bota

Britania e Madhe ka testuar me sukses armën e re me rreze lazer, e cila godet objekte me një precizion të lartë. Kostoja e një shpërthimi lazeri prej 10 sekondash, sipas Ministrisë së Mbrojtjes është vetëm 13 dollarë. Një kosto tepër e lirë krahasuar me raketat standarde, të përdorura nga Marina e Shteteve të Bashkuara për mbrojtjen ajrore të cilat kushtojnë më shumë se 2 milionë dollarë për çdo goditje.

"Ky lloj armatimi i avancuar ka potencialin të revolucionarizojë hapësirën e betejës, duke reduktuar varësinë nga municionet e shtrenjta, ai nuk është testuar në fushën e betejës dhe do të jetë i limituar", tha Grant Shapps, Sekretari i Mbrojtjes i Mbretërisë së Bashkuar.

Videoja e publikuar nga CNN tregon testin e "Dragon Fire", një sistem armësh me energji të drejtuar me lazer. Rrezja lazer mund të presë metalin "duke çuar në rezultate të efektshme nëse testata bërthamore është në shënjestër", thuhet në një deklaratë të Ministrisë së Mbrojtjes të Mbretërisë së Bashkuar.

Kostoja e raketave të mbrojtjes ajrore është bërë një temë e nxehtë në qarqet e mbrojtjes, vitet e fundit, pasi dronët me kosto të ulët kanë treguar efektivitetin e tyre në fushat e betejës në Ukrainë dhe në sulmet e rebelëve Houthi kundër anijeve tregtare dhe ushtarake në Detin e Kuq dhe Gjirin e Adenit.

Sistemet e shtrenjta të mbrojtjes ajrore nga aleatët perëndimorë kanë qenë vendimtare për aftësinë e Ukrainës për t'u mbrojtur nga sulmet nga raketat dhe dronët rusë. Britanikët nuk janë të parët që po zhvillojnë armë me rreze lazeri që mund të rrëzojë një objektiv ajror. Në vitin 2014, Marina amerikane testoi me sukses dhe vendosi një sistem armësh lazer në Gjirin Persik. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos