
Policia e Shtetit ka shtuar masat e sigurisë për protestën e sotme në Tiranë, pas thirrjeve të publikuara në rrjetet sociale për grumbullimin e personave të maskuar dhe të pajisur me mjete të rrezikshme, me qëllim ushtrimin e dhunës gjatë tubimit.
Në një deklaratë për mediat, Albert Nushi, shef i Sektorit të Drejtimit në Departamentin për Sigurinë Publike, bëri të ditur se policia ka konstatuar thirrje për sulme ndaj efektivëve, djegie të automjeteve të policisë dhe dëmtim të pronës publike e private.
Sipas tij, për këto thirrje ka nisur procedimi penal, ndërsa strukturat e specializuara po punojnë për identifikimin e personave përgjegjës.
“Personat që synojnë ta shfrytëzojnë tubimin për të ushtruar dhunë, pavarësisht maskimit apo përpjekjeve për të fshehur identitetin, do të identifikohen dhe do të përballen me përgjegjësinë ligjore”, deklaroi Nushi. (A2 Televizion)