SHBA-ja ka minimizuar kërcënimin ndaj armëpushimit në Gaza, pasi Hamasi thotë se i duhet më shumë kohë për të gjetur trupat e mbetur të pengjeve izraelite.
Debati mbi kthimin e pengjeve të vdekur ka kërcënuar marrëveshjen e armëpushimit dhe e ka shtyrë Izraelin të zvogëlojë furnizimet e premtuara me ndihmë për Gazën.
Si pjesë e fazës së parë të planit të paqes në Gaza, Hamasi duhej të kthente 20 pengje të gjallë dhe trupat e 28 pengjeve të tjera.
Pengjet e gjalla janë kthyer, si dhe nëntë trupa, por Hamasi thotë se ka nevojë për pajisje të specializuara për të gjetur të tjerët.
Një këshilltar i lartë amerikan u tha gazetarëve se gjetja e të gjithë trupave mund të zgjasë me javë për shkak të nivelit të shkatërrimit në Gaza.
Të mërkurën në mbrëmje, këshilltarët e lartë amerikanë thanë se bisedat me ndërmjetësit mbeten "pozitive" dhe se Hamasi synon ta respektojë marrëveshjen.
Mbrëmjen e djeshme Hamasi dorëzoi dy trupa dhe këtë mëngjes, Izraeli i identifikoi ata si rreshter-major Muhammad al-Atarash, 39 vjeç, dhe Inbar Hayman, 27 vjeç.
Ndërkohë kalimi kufitar i Rafah-ut, midis Gazës dhe Sinait egjiptian, mbeti i mbyllur gjithë ditën, për të dytën ditë radhazi, në kundërshtim me dispozitat e marrëveshjes së armëpushimit në Lindjen e Mesme.
Kjo masë u mor nga autoritetet izraelite pasi akuzuan Hamasin se nuk kishte përmbushur angazhimin e tij për të kthyer trupat e të gjithë pengjeve të vrarë në Rrip.
Ndërsa Donald Trump njoftoi se po shqyrtonte mundësinë që Benjamin Netanyahu të rifillonte veprimet ushtarake në Gaza nëse Hamasi refuzonte të mbante pjesën e tij të marrëveshjes.
(A2 Televizion)