Të paktën 10 persona u vranë të mërkurën dhe dhjetëra të tjerë u plagosën pasi një cisternë nafte nën mirëmbajtje përfshiu nga flakët në provincën e Ishujve Riau të Indonezisë, raportoi Jakarta Globe.
Zjarri shpërtheu në MT Federal II, një cisternë që po i nënshtrohej punimeve të mirëmbajtjes në një kantier detar në qytetin e Batamit, i cili është gati 20 kilometra larg Singaporit
Ekipet e zjarrfikësve dhe shpëtimit, si dhe policia, nxituan në vendngjarje për të shpëtuar viktimat brenda anijes dhe për të shuar flakët.
Shefi i policisë lokale, Asep Syafrudin, tha se deri të mërkurën pasdite, 10 punëtorë u konfirmuan të vdekur dhe 18 të tjerë u plagosën rëndë.
"Shkaku i shpërthimit është ende nën hetim", u tha Asep gazetarëve, duke shtuar se autoritetet lokale po kryenin një ekzaminim të detajuar në vendngjarje.
Zyrtarët ende nuk e kanë identifikuar shkakun e shpërthimit, i cili prodhoi kolona të dendura tymi mbi zonën industriale në Batamin perëndimor.
Zjarri i së mërkurës ishte aksidenti i dytë vdekjeprurës këtë vit që përfshinte anijen Federal II në të njëjtin kantier detar. Një incident i mëparshëm në fund të qershorit mori jetën e katër punëtorëve. Kosovapress (A2 Televizion)