“Betejë biblike” me zjarret! Flakët krijojnë stuhi gjigante, mbi 300 mijë të evakuuar në Francë dhe Spanjë

Nga Rosalba Bejdo
27 Korrik 2026, 13:59 | Bota

Zjarre masive pyjore vazhdojnë të përhapen në Francë dhe Spanjë, ku janë evakuuar më shumë se 330 mijë persona. Në Francë, zjarrfikësit flasin për një situatë apokaliptike, teksa përballen me atë që e përshkruajnë si një betejë "Davidi kundër Goliathit" në jugperëndim të vendit, ku flakët kanë arritur vetëm 15 kilometra larg qytetit historik të Bordosë, me rreth 850 mijë banorë, shkruan A2 CNN.

Zjarri në rajonin e Gironde ka krijuar edhe një fenomen të rrallë të njohur si pirokumulonimbus, një stuhi gjigante e shkaktuar nga vetë zjarri, e ushqyer nga erërat dhe rrufetë që ai gjeneron. Për shkak të situatës kritike, presidenti francez Emmanuel Macron zhvilloi një mbledhje urgjente me ministrat. Ministri i Brendshëm, Laurent Nuñez, deklaroi të dielën se situata mbetet tepër e pafavorshme, ndërsa zjarri po përhapet në mënyrë të paparashikueshme drejt Bordosë.

Vala e re e të nxehtit që do të përfshijë Francën këtë javë pritet ta ndërlikojë edhe më shumë situatën në Bordo, me meteorologët që parashikojnë temperatura deri në 40 gradë Celsius.

Ndërkohë, mbi 110 mijë persona janë evakuuar në Spanjë, vend që gjithashtu vijon betejën me flakët. Situata mbetet kritike në Valencia, ku rreth 15 mijë banorë janë detyruar të braktisin banesat e tyre.

Kryeministri spanjoll Pedro Sánchez, i cili vizitoi pesë zonat e përfshira nga flakët në Ávila, një prej tre rajoneve qendrore të prekura nga zjarret masive, së bashku me Madridin dhe Toledon, paralajmëroi se vendin e presin orë të vështira.

Flakët kanë shkatërruar më shumë se 50 mijë hektarë tokë në Ávila, duke e bërë këtë një prej zjarreve më të rënda në historinë moderne të Spanjës. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos