Rama heq paralele mes flamingove dhe Trojës: Sa më pranë BE, më të forta përpjekjet për të penguar rrugëtimin

Nga A2 CNN
27 Korrik 2026, 14:36 | Politikë

“Sa më pranë Bashkimit Evropian, aq më të forta bëhen edhe përpjekjet për të penguar këtë rrugëtim.” – Për kryeministrin Edi Rama, “revolucioni flamingo” po përdoret nga shtete jo-miqësore për të manipuluar qytetarët dhe destabilizuar vendin.

“Besoj jeni mjaft të informuar për të ashtuquajturin revolucion të flamingove. Është në fakt një shembull i jashtëzakonshëm i një plase, i një çarje që natyrisht edhe krijuar që u bë në fakt një mënyrë për të hyrë për armiqtë tanë për të organizuar një operacion shumë të madh troll-esh dhe avatarësh”, tha Rama.

Për të argumentuar qëndrimet e tij, Edi Rama u kthyembi 3 mijë vjet pas në kohë te mitologjia Greke... Troja e Homerit e rikthyer në ekranet e kinemave botërore me flimin më të komentuar të momentin “Odisea”.

“Kali i Trojës, e meqë ra fjala, ky është edhe emri i një virusi, mbetet mësimi suprem i historisë se rreziku më i madh rrallë është ai që mësyn në derë, por është gjithmonë e më tepër ai që fton brenda, sepse duket i padëmshëm. Është ai që lëvdojmë në emër të lirisë së mendimeve. Është ai që mbrohet në emër të lirisë së fjalës. Është ai për të cilin hezitojmë gjithmonë që të përballemi si duhet, edhe pse tregon, në fakt, natyrën e vet të vërtetë. Sepse, për ne, është çështje demokracie dhe çështje lirie”, tha Rama, përcjell A2 CNN.

Përballja nuk zhvillohet më vetëm në sallat e diplomacisë. Ajo kalon përmes ekranit të telefonit, algoritmeve dhe rrjeteve sociale. Objektivi nuk është të bindësh, por të krijosh dyshim dhe të zbehësh besimin te e vërteta. Kjo, sipas ministrit Ferit Hoxha, është fytyra e re e ndërhyrjes së huaj.

“Manipulimi dhe Ndërhyrja e Informacionit të Huaj nuk është thjesht një çështje narrativash konkurruese. Përdoret gjithnjë e më shumë si një instrument i mirëmenduar i presionit hibrid, i projektuar për të gërryer besimin, për të shfrytëzuar përçarjet sociale, për të përdorur algoritmet si armë, për të amplifikuar pakënaqësi dhe për të thyer kuptimin e realitetit” , tha ministri.

Nga rrjetet sociale te platformat e ndikimit, dezinformimi është kthyer në një nga sfidat e reja të sigurisë. Autoritetet shqiptare vijojnë të përsërisin rrezikun e ndërhyrjeve nga aktorë të huaj, mes tyre Iranin, duke e vendosur betejën kundër manipulimit të informacionit në qendër të vëmendjes edhe gjatë “revolucionit flamingo”. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos