"Cili është çmimi?" Putin: Jemi dakord me propozimin e armëpushimit

Nga Erjon Dervishi
14 Mars 2025, 11:04 | Bota

Rusia është e gatshme të pajtohet me propozimin e Shteteve të Bashkuara për një armëpushim në Ukrainë. Kështu është shprehur Presidenti i Rusisë, Vladimir Putin në një konferencë për mediat gjatë takimit me liderin e Bjellorusisë, Aleksandar Lukashenko. Por sipas Putin, kjo marrëveshje duhet të sqarohet deri në fund dhe duhet të merret me shkaqet rrënjësore të konfliktit.

"Ne pajtohemi me propozimet për ndërprerjen e armiqësive. Por ne theksojmë faktin se kjo ndërprerje duhet të jetë e tillë që të çojë në paqe afatgjatë dhe të eliminojë shkaqet fillestare të kësaj krize. Ideja në vetvete është e saktë dhe ne sigurisht e mbështesim atë. Por ka çështje që ne duhet t'i diskutojmë. Dhe mendoj se duhet të flasim edhe me kolegët tanë amerikanë. Por kush do të japë urdhra për ndalimin e armiqësive?... Kush do të përcaktojë se ku dhe kush ka shkelur një marrëveshje të mundshme armëpushimi për 2000 kilometra?”, u shpreh presidenti rus.

Putin theksoi se është e dobishme për Ukrainën që të arrijë një armëpushim 30-ditor për shkak të faktit se të gjitha trupat e saj në rajonin e Kurskut janë të bllokuara. Megjithatë, ai tërhoqi vëmendjen për faktin se armëpushimi mund të shfrytëzohet për të marrë armë ose për të kryer mobilizim të detyruar.

“Situata në rajonin e Kurskut është plotësisht nën kontrollin e Rusisë. Federata Ruse po çliron një nga një të gjitha vendbanimet pranë Suxha. Militantët ukrainas janë tërësisht të rrethuar, ushtria ukrainase po përpiqet të reagojë në grupe të vogla, por është e pamundur”, theksoi Putin.

Putin falënderoi Trumpin për përpjekjet e tij për t'i dhënë fund luftës. Ai tha se mund të telefonojë Trump për të diskutuar këtë çështje.  Forcat ruse kanë avancuar që nga mesi i vitit 2024 dhe kontrollojnë gati një të pestën e territorit të Ukrainës, tre vjet pas një lufte që Presidenti i SHBA Donald Trump ka thënë se do ta ndalojë. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos