
Janë mbyllur të parat qendrat e votimit në Indiana dhe Kentaki pasi votuesit amerikanë shprehën verdiktin e tyre në zgjedhjet e mesmandatit, që konsiderohen një test për Presidentin Trump. Mandej u mbyllën qendrat e votimit në Florida, Xhorxhia, Karolinën e Jugut dhe Virxhinia.
CNN raporton se në garat për Dhomën e Përfaqësuesve në Indiana dhe Kentaki, demokratët kanë marrë avantazhin fillestar në disa distrikte të rëndësishme. Rezultatet janë paraprake dhe mund të ndryshojnë ndjeshëm gjatë numërimit të votave.
Garat për Senat në Teksas, Miçigan, Maine, Karolinën e Jugut dhe Alaskë janë ndër ato që po ndiqen me interesin më të madh.
Republikanët po mbrojnë shumicën e tyre të ngushtë në Dhomën e Përfaqësuesve dhe në Senat, ndërsa demokratët synojnë të marrin kontrollin e të dyja dhomave.
Zgjedhjet po zhvillohen në një klimë të vështirë për Presidentin Donald Trump. Sipas exit poll-eve të publikuara më herët nga mediat ndërkombëtare, gjashtë në dhjetë amerikanë nuk e miratojnë mënyrën se si ai po ushtron detyrën e presidentit.
Trump, nga ana e tij, ka shprehur optimizëm për rezultatin e republikanëve, duke deklaruar se pret që zgjedhjet të shkojnë më mirë nga sa parashikojnë sondazhet.
Rezultatet e këtyre zgjedhjeve do të përcaktojnë nëse republikanët do të ruajnë shumicën në të dyja dhomat e Kongresit apo demokratët do të arrijnë të ndryshojnë ekuilibrat politikë në Uashington. (A2 Televizion)