Dy superfuqi globale në një tavolinë. Në Busan të Koresë së Jugut, takimi mes presidentit amerikan, Donald Trump dhe liderit të Kinës, Xi Jinping, i pari i tyre që nga viti 2019, zgjati më pak se dy orë.
Të dy udhëheqësit nuk dhanë një konferencë për shtyp, por njoftimet që pasuan lehtësuan mbarë globin. Kreu i Shtëpisë së Bardhë konfirmoi uljen e tarifave ndaj Pekinit me 10%, ndërsa sqaroi se marrëveshja tregtare është thuajse gati për ta nënshkruar, shkruan A2 CNN.
“Kemi një marrëveshje për shumë elementë. Sasi të mëdha, të jashtëzakonshme soje dhe produktesh të tjera bujqësore do të blihen menjëherë. Lidhur me fentanilin, jemi pajtuar që të punojmë fort për të ndaluar trafikimin e drogës. Do të shohim veprime reale në atë drejtim. Tarifa 20% ndaj Kinës për shkak të fentanilit do të ulet në 10%. Kemi diskutuar për çipët dhe kinezët do të bisedojnë me Nvidia dhe kompanitë e tjera për të marrë produkte pasi ne bëjmë çipa shumë të mirë. Shumë shpejt nuk do të kemi shumë pengesa të mëdha. Kemi një marrëveshje tani. Çdo vit do ta rinegociojmë atë. Çështja për të gjitha mineralet e rralla është zgjidhur, dhe kjo është për mbarë botën”, tha Trump .
Trump konfirmoi gjithashtu se në muajin prill do të vizitojë Kinën, ndërsa homologu i tij, Xi Jinpin, do të shkojë në Florida ose Uashington. Suksesin e bisedimeve e konfirmoi edhe vetë lideri nga Pekini. “Kina dhe Shtetet e Bashkuara mund të punojnë së bashku për të arritur projekte më të mëdha dhe më konkrete në dobi të dy vendeve tona dhe të gjithë botës”, tha Presidenti kinez.
Xi Jinping konfirmoi konsensusin në çështjet tregtare, ndërsa i kërkoi Uashingtonit të përqendrohet në bashkëpunimin afatgjatë për të shmangur “rënien në një rreth vicioz hakmarrjeje”. Kina “nuk kërkon kurrë të sfidojë ose zëvendësojë ndonjë vend” dhe se përparësia e saj është “të bëjë mirë punën e saj dhe të përqendrohet në zhvillimin e vet”, siguroi Presidenti kinez për agjencinë zyrtare të lajmeve Xinhua. Kina konfirmoi se kishte rënë dakord të pezullonte për një vit kufizimet mbi eksportet e metaleve të rralla, të vendosura më 9 tetor në mes të luftës tregtare me Shtetet e Bashkuara. Një moment i veçantë është shënuar gjatë përshëndetjes pas takimit, ku Trump dhe Xi Jinping shtrënguan duart, ndërsa lideri amerikan iu afrua atij të Kinës duke i përshpëritur në vesh një mesazh që ende nuk është zbardhur. (A2 Televizion)
