
Ka zgjatur më pak se dy orë takimi i shumëpritur mes presidentit të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Donald Trump dhe atij kinez, Xi Jinping që u mbajt në Korenë e Jugut.
Të dy liderët dolën para kamerave mes buzëqeshjeve dhe shtrëngimeve të duarve, në dukje pa tension.
Ata nuk lëshuan një deklaratë të përbashkët, por për Trump, rezultati i samitit ishte një sukses i madh.
"Me Xi arritëm një marrëveshje për mineralet e rralla", shtoi ai duke specifikuar se ajo do të zgjasë për një vit dhe do të rinegociohet çdo 12 muaj. “Kina”, siguroi manjati, “do të vazhdojë të ruajë fluksin e eksporteve të mineraleve të rralla të tokës”.
Trump njoftoi më pas se tarifat për produktet kineze do të ulen në 47%, nga 57% që janë aktualisht dhe se Uashingtoni dhe Pekini do të punojnë së bashku për luftën në Ukrainë.
Më tej, lideri i Shtëpisë së Bardhë shtoi se në muajin prill pritet të zhvillojë një vizitë zyrtare në Kinë. Ai bëri me dije se SHBA-të dhe Kina do të punojnë së bashku për luftën në Ukrainë
Për Xi, Kina dhe Shtetet e Bashkuara "mund të marrin së bashku përgjegjësitë e tyre si fuqi të mëdha dhe të punojnë së bashku për të mirën e të gjithë botës". (A2 Televizion)
