Dorëzimi para Putin, Donald Trump: Kievi duhet të bëjë lëshime

Nga Erjon Dervishi
13 Shkurt 2025, 15:13 | Bota

Presidenti i SHBA-së, Donald Trump ka premtuar një fund të shpejtë të luftës në Ukrainë, por me fillimin e bisedimeve, autori i "Artit të marrëveshjes" mund ta ketë komplikuar tashmë detyrën e tij duke sakrifikuar ndikimin e SHBA-së në botë.

Trump, diskutoi veçmas luftën të mërkurën me presidentin rus Vladimir Putin dhe presidentin ukrainas Volodymyr Zelensky dhe u tha zyrtarëve amerikanë që të fillonin bisedimet për t'i dhënë fund luftës gati tre-vjeçare.

"Ne do të bëjmë diçka. Ne do të takohemi në Mynih, siç e dini, dhe ne do të kemi disa takime të tjera. Unë do të merrem me Presidentin Putin kryesisht në telefon. Dhe në fund presim të takohemi. Në fakt, ne presim që ai do të vijë këtu dhe unë do të shkoj atje në Arabinë Saudite”, tha Trump.

Telefonata mes Trump dhe Putin erdhi menjëherë pasi Sekretari i Mbrojtjes Pete Hegseth u tha aleatëve ushtarakë të Ukrainës në Bruksel se një kthim në kufijtë e Ukrainës para 2014 ishte jorealiste dhe se SHBA nuk e sheh anëtarësimin në NATO të Kievit si pjesë e një zgjidhjeje.

"E di që sekretari ynë i ri i mbrojtjes, i cili është i shkëlqyer, bëri një deklaratë duke thënë se ai mendon se nuk ka gjasa ose është jopraktike. Mendoj se ndoshta kjo është e vërtetë. Mendoj shumë kohë përpara Presidentit Putin, ata thanë se nuk mund ta lejonin këtë për shumë, shumë vite. Për në NATO dhe unë jam në rregull që Ukraina të mos bëhet pjesë.”

Ky qëndrim i njeriut më të fuqishëm të botës është parë si një dorëzim përpara Vladimir Putin. I pari që reagoi ishte ish-Këshilltari i Sigurisë Kombëtare të SHBA, John Bolton duke thënë se Trump po ndihmon Putin.

Nga ana e saj, Sekretari i Mbrojtjes Pete Hegseth i dha një goditje të rëndë shpresave të ukrainasve. Pranimi i vendit në NATO është praktikisht i pamundur dhe rivendosja e plotë e kufijve të Ukrainës, të cilën Zelensky e ka vendosur si qëllim lufte, është joreale, tha ai në një takim të Grupit të Kontaktit të Ukrainës në Bruksel. Ndërkohë, ministrat e jashtëm evropianë insistuan në pjesëmarrjen e Evropës në negociatat e paqes për Ukrainën. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos