Çfarë mund të bëjë një udhëheqës botëror me një armë dhe gjashtë plumba? Kjo ishte enigma me të cilën u përballën liderët e NATO-s pasi presidenti turk Rexhep Tajip Erdogan u dhuroi secilit prej tyre nga një revolver pas samitit të Ankarasë, të zhvilluar më 7 dhe 9 korrik.
Pyetja që u ngrit menjëherë ishte: Pse një dhuratë e tillë? Ndërsa është e zakonshme që krerët e shteteve të shkëmbejnë dhurata gjatë takimeve zyrtare apo samiteve, shkëmbime të tilla rrallëherë përfshijnë masa të veçanta sigurie dhe procedura ligjore për transportimin e një arme zjarri.
Përmes kësaj dhurate, Erdogan synoi të promovojë industrinë mbrojtëse të Turqisë, e cila vitet e fundit është kthyer në një element të rëndësishëm të eksporteve dhe politikës së jashtme të Ankarasë.
Imazhet e publikuara nga zyra e presidentit lituanez Gitanas Nausėda treguan një revolver të modelit “Gumusay .357 Magnum”, një armë e rrallë me gjashtë fishekë, e prodhuar nga kompania turke e armëve MKE në vitet 1990.
Revolveri ishte vendosur në një kuti druri të dekoruar me flamurin e Turqisë dhe logon e NATO-s, së bashku me një pankartë ku shkruhej: “Gumusay, pistoleta e parë e tipit revolver e prodhuar në vendin tonë”, në gjuhën turke dhe angleze.
Për Erdoganin, kjo dhuratë ishte një tjetër mundësi për të vënë në pah kapacitetet e industrisë së mbrojtjes turke në skenën ndërkombëtare. Por për disa liderë të NATO-s, arma e personalizuar solli një problem të papritur: si të transportohej dhe të regjistrohej ligjërisht një armë funksionale në vendet e tyre.
Kryeministri kanadez Mark Carney e komentoi me ironi këtë situatë, duke thënë se dhurata që Kanadaja i kishte bërë Turqisë në samit dukej modeste në krahasim me revolverin e marrë nga Erdogan.
“Nuk ishte ajo që prisja. Më bëri përshtypje fakti që dhurata ime dukej disi e papërshtatshme krahasuar me atë armë të kalibrit .357. Por mendimi tjetër që më erdhi ishte se kjo është diçka që mund të ruhet në një muze lufte ose në Muzeun e Forcave të Armatosura Kanadeze, ku do të kishte kuptim në kontekstin e NATO-s”, tha Carney.
Ai shtoi se arma aktualisht ndodhet pranë Policisë Mbretërore Kanadeze, pasi është çaktivizuar për shkak se nuk lejohet si armë zjarri sipas ligjeve kanadeze, shkruan A2CNN.
Por pse Turqia zgjodhi pikërisht një armë si dhuratë për liderët botërorë?
Ekspertët e shohin këtë zgjedhje si një ndërthurje mes simbolikës historike të Turqisë dhe fuqisë së saj moderne ushtarake. Në diplomacinë e Perandorisë Osmane, armët konsideroheshin simbole të prestigjit dhe fuqisë. Ato u dhuroheshin liderëve të huaj, komandantëve ushtarakë dhe figurave të rëndësishme si shenjë respekti dhe aleance.
Në vitet e fundit, Turqia ka bërë hapa të mëdhenj në zhvillimin e industrisë së mbrojtjes, duke e përdorur këtë sektor edhe si një mjet për të rritur ndikimin e saj në diplomacinë globale.
Përmes dhurimit të revolverëve, Ankaraja ndërthur traditën, teknologjinë dhe identitetin kulturor në një veprim të vetëm.
Modeli “Gumusay” dallohet nga pistoletat gjysmëautomatike që dominojnë tregun modern të armëve, duke i dhënë këtij revolveri një vlerë të veçantë si objekt koleksioni.
Prodhuesit turq janë zgjeruar me shpejtësi në tregun ndërkombëtar të armëve të zjarrit për përdorim civil, duke ofruar pistoleta dhe pushkë me kosto më të ulët që konkurrojnë me markat tradicionale italiane dhe belge, të njohura për armët sportive dhe të shërbimit.
Sipas të dhënave të organizatës me bazë në Gjenevë “Small Arms Survey”, Turqia është renditur ndër eksportuesit më të mëdhenj në botë të armëve të vogla gjatë periudhës 2019-2024. Eksportet e saj janë vlerësuar në rreth 3 miliardë dollarë amerikanë, duke e vendosur vendin pas Shteteve të Bashkuara dhe Italisë. (A2 Televizion)