Kancelari gjerman Olaf Scholz dhe Presidenti i Rusisë, Vladimir Putin folën në telefon për rreth një orë pasditen e sotme, ka thënë një burim i qeverisë gjermane.
Sipas mediave të huaja, Scholz dhe presidenti rus kishin folur për herë të fundit drejtpërdrejt në dhjetor 2022, tha qeveria.
Mësohet se biseda mes dy liderëve është fokusuar te lufta në Ukrainë, ku sipas Scholz, ai i ka kërkuar Putinit tërheqjen e trupave nga vendi fqinj, A2 CNN.
“Kam folur me presidentin Putin në telefon dhe i kam bërë thirrje që t’i japë fund luftës së agresionit të Rusisë kundër Ukrainës dhe të tërheqë trupat e saj”, tha ai.
"Rusia duhet të tregojë një gatishmëri për të negociuar me Ukrainën, me synimin për të arritur një paqe të drejtë dhe të qëndrueshme", shtoi më tej Scholz.
Biseda telefonike mes dy liderëve vjen mes spekulimeve në rritje se një presidencë e Donald Trump në SHBA mund të çojë në negociata për t'i dhënë fund luftës. (A2 Televizion)