Ekonomisë gjermane nuk i shqitet pesimizmi

Nga A2 CNN
26 Shtator 2025, 14:51 | Bota

Ekonomisë gjermane nuk i shqitet pesimizmi

Lajm jo shumë inkurajues për ekonominë gjermane: institutet kryesore ekonomike deklaruan në të ashtuquajturin Vlerësim të Vjeshtës se ekonomia do të rritet, por vetëm falë investimeve të mëdha qeveritare.

Sipas instituteve kryesore, ekonomia gjermane do të ketë rritje të dukshme vetëm në vitin 2026  - falë investimeve të mëdha nga qeveria federale gjermane. Institutet presin që produkti i brendshëm bruto të rritet me 1.3 përqind, thuhet në Parashikimin e regullt të Vjeshtës për qeverinë. Në vitin 2027, ekonomia mund të rritet me 1.4 përqind. Për vitin aktual 2025, ekonomistët presin një rritje të vogël prej vetëm 0.2 përqind pas dy vitesh recesioni.

Lëkundjet e ekonomisë

"Ekonomia gjermane është ende në këmbë të pasigurta", tha Geraldine Denis-Knedlich, drejtuese në Institutin DIW me seli në Berlin, në prezantimin e Vlerësimit të Vjeshtës në Berlin.

"Ajo do të rimëkëmbet ndjeshëm në dy vitet e ardhshme, por duke pasur parasysh dobësitë e vazhdueshme strukturore, ky vrull nuk do të zgjasë shumë". Ky është vlerësimi jo aq optimist i ekonomistëve kryesorë gjermanë.

Shkencëtarëte thonë në titullin e studimit të tyre: "Politika fiskale ekspansive maskon dobësinë e rritjes". Prandaj, ata i bënë thirrje koalicionit qeverisës të Kristiandemokratëve (CDU/CSU) dhe Socialdemokratëve (SPD) në Gjermani që të bëjë më shumë për ta bërë ekonominë dhe kompanitë më konkurruese. Ata paraqitën një plan dymbëdhjetëpikësh për reforma strukturore që do ta përgatisnin më mirë Gjermaninë për të ardhmen.

Investimet e qeverisë

Falë shpenzimeve më të larta qeveritare në infrastrukturë, ekonomia po fiton vrull, "por problemet strukturore vetëm sa po maskohen", theksuan institutet.

"Perspektiva po përkeqësohet, gjë që reflektohet edhe në rënien e pritur të shkallës së rritjes së potencialit produktiv." Kostot e larta të energjisë dhe punës në krahasim ndërkombëtar, mungesa e fuqisë punëtore të kualifikuar dhe një rënie e mëtejshme e konkurrueshmërisë vazhdojnë të pengojnë perspektivat e rritjes afatgjatë.

Sektori i shërbimeve rritet - prodhimi bie

Ndërsa segmentet e shërbimeve, veçanërisht në sektorin publik, mund të rriten fuqishëm në dy vitet e ardhshme, rimëkëmbja në industrinë prodhuese mund të ketë vetëm një rritje të vogël, thanë ata.

Kërkesa e jashtme për mallrat gjermane në veçanti po dobësohet, për shkak të rënies së konkurrueshmërisë dhe tarifave më të larta. Kjo është e re, pasi ekonomia gjermane tradicionalisht është mbështetur në eksporte të mëdha. "Rimëkëmbja është përqendruar në ekonominë vendase”, thuhet në vlerësimin e ekspertëve./DW/ (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos